AlbanianSport.com 21/05/2020 22:25
ASNN – Flamengoja, kampionia e fundit i kampionatit të Brazilit dhe fituese e Kupës “Libertadores”, i është rikthyer stërvitjes, në kundërshtim me rekomandimet e kryetarit të Bashkisë së Rio de Zhaneiros, i cili ka lejuar vetëm seancat e fizioterapisë. Skuadra e ekipit të Rio de Zhaneiros është stërvitur, për të dytën ditë radhazi, në dy fusha të “Ninjo do Urubús”, qendrës stërvitore të klubit që ndodhet në veri të qytetit.
Por kryetari i Bashkisë së Rio de Janeiros, një nga qytetet braziliane më të goditura nga epidemia e “COVID-19”, lëshoi një tjetër deklaratë zyrtare në të cilën përsëriti se “nuk rekomandon kthimin e stërvitjes” të klubeve vendase. Sekretarja e Shëndetësisë së Rio de Zhaneiros, Beatriz Bush, ka kontaktuar drejtuesit e klubit të Flamengos për të “transmetuar pozicionin e Komitetit Shkencor Komunal, i cili synon të ruajë përhapjen e COVID-19 dhe shëndetin e njerëzve”.
“Por Federata e Futbollit, mbrojti publikisht Flamengon, për sa kohë që stërvitja e ekipit nuk përbën rrezik në përhapjen e “COVID-19”. Lojtarët e Flamengos u janë nënshtruar testeve të virusit korona, ku u zbulua se dy lojtarë ishin të infektuar, sipas ‘GloboEsporte’. Ndërkohë që masazhieri i ekipit profesionist, Zhorzh Luiz Domingos “Zhorzhinjo” vdiq në moshën 68 vjeç, si pasojë e virusit korona.
Përveç Flamengos, në fushë kanë dalë edhe skuadrat e Gremios, Internacionalit dhe Atlétiko Mineiros, megjithëse ndryshe nga klubi i Rio de Zhaneiros, ata kishin marrë miratimin nga autoriteteve lokale.