AlbanianSport.com 21/05/2020 20:10
ASNN – Uragani i lëvizjeve të pilotëve që nisi me largimin e pritshëm të Sebastian Fetelit dhe me zëvendësimin e tij me Karlos Sainzin tek “Ferrari”, që vijoi me Daniel Riçiardon te “MekLaren”-i dhe me gjermanin e “kokëkuqes” në pritje, padyshim që do të ketë një pjesë të dytë. Janë të paktën 11 vende bosh ende në makinat e Formulës 1 për 2021, pa asnjë pilot, e tashmë në këtë kohë pa gara, negociatat po përshpejtohen. Tek “Mercedes”-i, ende nuk kanë rinovuar me kampionin në fuqi të botës, Ljuis Hemiltonin.
E kjo duket paksa e vështirë, përballë krizës ekonomike që vjen pas epidemisë. Por nuk është sekret që prodhuesi nga Shtutgarti mund ta rimendojë të ardhmen e tij, te motorët. Piloti i dytë te “Shigjetat e argjendta”, Valteri Botas, i cili që nga viti 2017, përballet me këtë gjendje, është sërish në përfundim të kontratës. Situata është e vështirë në shtëpinë gjermane, sepse nëse largohet Botasi, Feteli mund të bashkohet në minutën e fundit me ta.
Por ekziston edhe pista “Rasëll”. Por duhet menduar edhe bashkëjetesa e Hemiltonit me Fetelin në një skuadër, e kjo e bën me dhimbje koke Toto Volfin. Te “Renault” kanë nënshkruar me Riçiardon dhe po mendojnë për një tjetër ish-kampion, Fernando Alonson. Ndërsa nuk përjashtohet edhe pista e Niko Hulkenbergut. Një pilot është i konfirmuar edhe tek “Red Bull”-i, Maks Verstapeni. Epërsi për një vend te kjo skuadër ka Aleksandë Alboni.
Të pavendosur janë edhe fatet e pilotëve tek skuadrat më të vogla si “Ha’as”-i, “Uilliams”-i dhe “Alfa Romeo Sauber”. Ato fillimisht duhet të zgjidhin problemet financiare para se të fillojnë të nënshkruajnë me pilotët për vitin 2021. Skuadra më interesante është ajo e “Aston Martin”. Ajo do të hyjë në vitin 2021 si një ekip zyrtar me pak mbështetje nga “Mercedes”-i, e me dy pilotët, Serxhio Pérez dhe Lens Stroll.