AlbanianSport.com 19/05/2020 22:25
ASNN – “Renault” ka mbetur pa pilot dhe me një projekt ende të papërfunduar. Siç dihet, Daniel Riçiardo do të largohet në fund të këtij sezoni, për të shkuar tek “MekLaren”-i. Por sipas lajmeve të fundit, “Renault” ka konfirmuar ardhjen e një sponsori të ri, mjaft të rëndësishëm saudit. Ky i fundit e di mirë se Formula 1 është një vitrinë e mirë, edhe nëse fiton vetëm “Mercedes”-i.
Skuadra ka një histori, por prej disa muajsh po shqyrton një rrugëdalje, në një kohë kur Evropa përballet me krizën më të madhe ekonomike në vitet e fundit. Ndaj është e ligjshme të mendosh që kjo skuadër do të marrë në konsideratë edhe një herë të ardhmen e vet në konkurrencë. Por për t’ia arritur kësaj, atyre iu duhet një emër i madh në Formula 1, si Fernando Alonso, që të shoqërojë Esteban Okonin në sezonin e 2021-shit.
“Renault” ka ambicie të mëdha dhe ajo do që të luftojë për tituj në planin afatmesëm duke përfituar nga ndryshimi i rregullave në 2022-shin. E kampioni spanjoll, edhe pse në moshë 38-vjeçare mund të jetë një hap i madh drejt realizimit të këtyre synimeve. E duket se Alonso është gati të largohet nga garat e “Rellit” për të përjetuar sërish adrenalinën e Formulës 1.