AlbanianSport.com 19/05/2020 20:55
ASNN – Italiani paralajmëron dëmtime të shumta pas tre muajve pushim. Trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani, flet për herë të parë pas rikthimit në stërvitje. Numri 1 i stolit të të kuqve kërkon kujdes për të evituar dëmtimet, por shprehet se është i paqartë për rrjedhën që mund të marrë sezoni i skuadrës së tij në 10 javët e mbetura. Në fakt, trajneri është shumë i shqetësuar për rrezikun që i kanoset lojtarëve në rifillimin e sezonit. Italiani thekson se ka pak kohë për t’u përgatitur, ndërsa moti pritet të jetë shumë i nxehtë
Kjo ishte në fakt dita e dytë e kampionëve në kompleksin e ndryshuar. Partizani u stërvit sërish në mëngjes në “Football Republic” pranë Petrelës dhe nuk pati sërish asnjë mungesë në apel. Sidoqoftë, trajneri Adolfo Sormani, ia ka shumë frikën përfundimit të sezonit në këto kushte, ndërsa është “sy e veshë” nga qeveria për të mësuar se kur mund të rifillojë sezoni. “Unë jam i mendimit se kjo është diçka që i takon qeverisë, nuk i takon institucioneve të futbollit, – ka thënë ai, duke folur për mediat e pranishme në këtë seancë stërvitore. – Nuk na takon ne që të zgjidhim.”
“Kur të krijohen kushtet e duhura, atëherë kampionati duhet të rifillojë, – ka vijuar italiani. – Unë mund të shtoj se koha që kemi në dispozicion për t’u stërvitur është e vogël dhe ndeshjet do të luhen në temperatura të larta, pra do të shoqërohen me shumë dëmtime. Në Gjermani, që në javën e parë të rifillimit, pati një numër të madh dëmtimesh”. Po si e shikon 54-vjeçari Partizanin në këto 10 javë të mbetura në Superiore? “Situata është kaq e çuditshme, saqë është shumë e vështirë të bësh parashikime, – ka thënë ai. -Është si të parashikosh diçka që nuk e ke provuar, nuk e ke jetuar kurrë më parë.”
“Mendoj se do të jetë çështje motivimi dhe vullneti”, – shtoi Sormani, i cili shqetësi ka diskutimin sa i përket formës, edhe në krahasim me rivalët. “Duhet të di se çfarë kanë bërë të tjerët, – pohon trajneri. – Për momentin, mund të flas vetëm për çfarë kemi bërë ne. Padyshim, nëse ndonjë skuadër ka pasur mundësi të stërvitet në kushte më normale, duke pasur edhe topin, atëherë do të ketë avantazh, të paktën do të ketë më pak dëmtime, kjo është e sigurt.” Por, si është gjendja shëndetësore e lojtarëve dhe a dihet rreziku nga virusi korona?
“Këtë gjë duhet ta disktoni me mjekun tonë, me stafin mjekësor. Nuk jam në gjendje të bëj një vlerësim dhe nuk është kompetenca ime që të flas për këtë. Mendoj se përderisa federata i ka dorëzuar një protokoll qeverisë dhe kjo e fundit ka dhënë leje, do të thotë se të gjithë mund të jenë të sigurt me këtë protokoll. Shpresoj, të paktën”, – ka përfunduar komunikimin e tij me mediat trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: