AlbanianSport.com 18/05/2020 22:25
ASNN – Në një njoftim të postuar në profilin e saj zyrtar në rrjetin social “Facebook”, Federata Shqiptare e Volejbollit thekson është njohur me vendimin nr. 326 të Ministrisë së Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale, të datës 15 maj 2020, sipas të cilit stërvitjet e sportistëve lejohen të zhvillohen, për të gjithë llojet e sporteve, vetëm në mjedise të hapura. Ndërkohë, aktivitetet sportive dhe stërvitjet e sportistëve në ambiente të mbyllura vijojnë të jenë të ndaluara.
“Për këtë qëllim, Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, Erlind Pëllumbi, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm, Albens Vokopola, zhvilluan një takim me Ministren e Shëndetsisë, Olgerta Manastirliu, dhe zv/Ministren e Shëndetsisë dhe njëkohësisht Kryetaren e Komitetit Teknik të Ekspertëve për situatën e COVID-19, – vijon më tej njoftimi në fjalë. Gjatë këtij takimi u shqyrtuan mundësitë e rikthimit të volejbollit dhe aktivitetet e tij, të cilat zhvillohen në ambiente të mbyllura, sigurisht, duke i qëndruar rigoroz protokollit shëndetësor, që do të miratohet nga autoritetet përkatëse.”
“Ndërkohë, deri në një vendim të tillë, teksa aktivitetet e moshave janë pezulluar tashmë dhe shpresohet të përmbyllen në parket kampionatet e të rriturave dhe të rriturve, Federata Shqiptare e Volejbollit inkurajon sportistët dhe sportistet, trajnerët dhe ekipet që të shfrytëzojnë mundësinë e stërvitjes në mjedise të hapur për të rifituar sadopak formën fizike dhe sportive dhe për të qenë sa më të gatshëm në momentin që do të lejohet rikthimi në parket, fillimisht për stërvitje dhe, më pas, për ndeshjet finale, nëse do të na mundësohet rikthimi në parket”, – përfundon njoftimi i organizmit që qeveris futbollin në vend.