AlbanianSport.com 18/05/2020 21:40
ASNN – Nuk ka spektatorë dhe sportdashës nëpër shkallët e stadiumeve, por të paktën ka shumë herë më tepër shikues dhe tifozë nëpërmjet ekraneve televizivë. Bundesliga gjermane grisi terrin sportiv të imponuar dhunshëm nga epidemia e virusit korona, duke rinisur sezonin e saj dhe tifozeria besnike nuk e tradhtoi, përtej mungesës aty, nëpër shkallët e stadiumet, sepse audienca televizive u trefishua.
Java e parë e kampionatit gjerman pas pushimit të gjatë prej epidemisë së virusit misterioz, tërhoqi më shumë se 6 milionë telespektatorë përpara televizorit. Statistikat të bëra me dije nga faqja e specializuar gjermane në Internet, “DWDLE.de”, e pajtuar nga “Sky Sports Deutschland”, regjistroi një shifër rekord teleshikuesish për kampionatin e parë që vendosi të rrotullojë topin në Evropë pas ndërprerjes në mars.
Dhe për ndeshjet e luajtura në orën tradicionale, 15:30, transmetuesi “Sky Sports” kishte 3.680.000 telespektatorë në kanalet e saj me pagesë, pak më shumë se dyfishi i të shtunave tradicionale të futbollit, të cilave u shtohen edhe 2 milionë e gjysmë spektatorë në kanalin që transmetonte të gjitha ndeshjet njëkohësisht. Në total, një rritje e shikueshmërisë prej 320%.
E teksa shumë kanë ngritur dyshime nëse ky rikthim i Bundesligës ia vlente në aspektin financiar, teksa humbjet nga mosarkëtimi i biletave janë kolosale, pasi bëhet fjalë për 50, 60 apo edhe mbi 70,000 tifozë çdo ndeshje në stadium, si në rastin e Borusias së Dortmundit, të paktën ia ka vlejtur në aspektin e të drejtave televizive dhe, bashkë me to, ka bërë që të mos ketë humbje sa i përket të ardhurave nga marketingu.