Gjergj Vyshka 04.12.2014 08:45
Djelmnia-Ada e Velipojës B nuk ka vazhduar më shumë se sa 80 minuta, ndërsa grushtet kanë zëvendësuar lojën. Tifozët velipojakë hyjnë në fushë, tentohet të goditen gjyqtarët, që merren nën mbrojtje nga policia. Ndërprerjet e ndeshjeve në Kategorinë e Tretë duket se janë bërë të zakonshme edhe atëherë kur është vetëm java e tretë e sezonit futbollistik 2014-2015. Nëse të martën për ndeshjen e grupit A, Internacional-Drini, ka qenë pengesë shiu i rrëmbyer, i cili pushtoi të gjithë zonën e Tiranës në mesditë, dje ka qenë një tjetër gjë.
Më tepër një akt i turpshëm i cili nuk ka lidhje me futbollin, që në fushë është zëvendësuar nga grushtet dhe sherri masiv mes dy skuadrave të një rrethi. Bëhej fjalë për derbin e Shkodrës, mes Djelmnisë shkodrane dhe Adës së Velipojës B, ndërsa sipas të gjitha burimeve të dyja skuadrat janë fryrë më së shumti nga ngacmimet që kanë pasur me njëri-tjetrin nga rrjeti social “Facebook”-ut. Në të tilla kushte, gjyqtarit të ndeshjes i është dashur shumë punë për të menaxhuar mirë ndeshjen, e cila deri në minutën e 80-të ka qenë nën epërsinë e Djelmnisë shkodrane, 1-0.
Por këtu nis të prishet gjithçka. Lojtarët e Adës B kanë nisur një sherr masiv me ato të Djelminisë. Grushte e shqelma mes atyre që janë në fushë, por dhe nga pas dhe futbollistëve të pankinave përkatëse. Pavarësisht ndërhyrjes së drejtuesve të skuadrave duket se ka qenë krejtësisht e pamundur për t’i ndarë. Gjyqtarët e lojës janë vendosur në një cep të fushës gjithnjë në pritje të qetësimit të situatës dhe më pas të ndëshkimit të atyre që nisën sherrin me karton të kuq. Por duket se ka qenë krejtësisht e pamundur deri në atë masë sa gjyqtari ka marrë vendimin që ndeshja të mos vazhdojë më.
Kuptohet që relacionet e gjyqtarëve dhe vëzhguesit, apo dhe delegatit të Federatës Shqiptare të Futbollit do të kalohen në Komisionin e Disiplinës. Ajo që duhet theksuar është fakti se policia e Komisariatit Nr. 5, e cila mbulon dhe zonën e Kamzës, e kishte marrë informacionin për një ndeshje të acaruar mes këtyre dy skuadrave. Ka pasur dhe gati 20 tifozë të Adës, të cilët janë shpërndarë nga forcat e rendit, ndërsa për sherrin masiv në fjalë nuk ka pasur të ndaluar. Madje tifozët kanë hyrë dhe në fushë, teksa kanë goditur lojtarët e Djelmnisë.
Ata kanë tentuar të godasin dhe gjyqtarët që për fat të mirë kanë shpëtuar. Sepse goli i shënuar nga Djelmnia ka qenë i parregullt. Por kanë ndërhyrë policia, e cila për të mos krijuar probleme më parë është larguar skuadra e Adës nga Kompleksi i Ekipeve Kombëtare në Kamëz. Më pas Djelmnia shkodrane dhe pas tyre dhe gjyqtarët, të cilët deri në dalje të rrugës kryesore janë shoqëruar me polici. Ndoshta nuk është fort e hijshme që në javën e tretë të Kategorisë së Tretë të ndërpritet ndeshja për shkak të sherrit masiv.
Por duket se këto fenomene po bëhen të zakonshme në të gjitha nivelet e kategorive të futbollit shqiptar. Tashmë i mbetet Komisionit të Disiplinës për të vendosur për fatin e kësaj ndeshje të ndërprerë në të 80-n minutë, në rezultatin 1-0 për Djelmninë Shkodrane.
Kategoria e Tretë
Grupi A
Java e 3-të
(2-7 dhjetor 2014)
Të martën:
Eagles – Sporting Tirana 6-2
Internacional – Drini (4-1 – e ndërprerë në minutën e 39-të)
Të mërkurën:
Djelmnia – Ada Velipojë B (1-0 – e ndërprerë në minutën e 80-të)
Të premten:
Kevitan – Spartaku (ora 11:00)
Bulqiza – Shkëndija Tiranë (ora 13:00)
Të dielën:
AAS – Flabina (ora 11:00)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. B. H. Gsh-Gp Pikë
- Kevitan 2 2 0 0 13-0 6
- Bulqiza 2 2 0 0 9-1 6
- Ada Velipojë B 2 2 0 0 7-0 6
- Eagles 3 1 1 1 7-9 4
- Djelmnia 2 1 0 1 15-1 3
- Spartaku 2 1 0 1 6-3 3
- AAS 2 1 0 1 3-3 3
- Shkëndija Tiranë 2 1 0 1 3-4 3
- Internacional 2 1 0 1 4-7 3
- Flabina 2 0 1 1 1-5 1
- Sporting Tiranë 3 0 0 3 2-16 0
- Drini FK 2 0 0 2 0-18 0