AlbanianSport.com 18/05/2020 19:25
ASNN – Megjithëse ka zgjatur deri në kufinjtë e absurdit, e, për më tepër, pa një shpjegim apo një përgjigje të pritshme për një institucion, më në fund ka ardhur edhe dita. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hapi më në fund dritën jeshile që të gjitha skuadrat shqiptare të kenë mundësinë të stërviten në grup. Menjëherë të gjitha skuadrat i janë futur punës, për t’u përgatitur për të qenë të gatshëm për rifillimin e Kampionatit Kombëtar të Futbollit, i cili është planifikuar të nisë më 3 qershor me nivelin e tij më të lartë, me Kategorinë Superiore, dhe, më 7 qershor, me dy nivelet e tjera, Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë.
Dhe, nëpërmjet një mesazhi të publikuar të hënën, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka ka përshëndetur rifillimin e stërvitjeve. Gjithashtu në mesazhin e tij thuhet se në ditët në vazhdim, Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë disa demonstrime, seminare dhe aktivitete të tjera me klubet, në mënyrë që ato të jenë sa më të qarta dhe të lehta për t’u zbatuar nga organizatorët e ndeshjeve. “U drejtohem me këtë mesazh, futbollistëve, trajnerëve, drejtuesve dhe stafeve të klubeve, ekipeve dhe akademive të futbollit”, – thotë Duka në fillim të mesazhit të tij.
“Sot, pas një periudhe të relativisht të gjatë ndërprerjeje për shkak të pandemisë, të gjithë do të kenë mundësinë të kthehen në fushat e stërvitjes, – ka vijuar ai. – Kjo është një ngjarje e shënuar, sepse nis rrugën për rifillimin e sezonit futbollistik të ndërprerë nga masat, për luftën ndaj Covid-19. Në fillim, dua t’ju falënderoj, për durimin dhe qytetarinë e treguar gjatë kësaj periudhe të gjatë dhe të vështirë, duke zbatuar rregullat e distancimit social. Edhe për mesazhet, e solidaritetit që keni dhënë nëpërmjet prononcimeve tuaja.”
“Futbolli është një pjesë e rëndësishme dhe e ka për detyrë të japë mesazhe me vlera, për shoqërinë shqiptare, – ka theksuar kreu i FSHF-së. – Dua t’ju kujtoj edhe njëherë, që të jeni sa më të kujdesshëm dhe të zbatoni rregullat e distancimit social dhe protokollet në lidhje me zhvillimin e stërvitjeve në këto kushte. Jam i bindur, që ju dhe stafet tuaja, do të tregoheni të kujdesshëm në këtë drejtim, në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë. Në ditët në vazhdim, Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë disa demonstrime, seminare dhe aktivitete të tjera me klubet.”
“Kjo do të bëhet në mënyrë që ato të janë sa më të qarta dhe të lehta për t’u zbatuar nga ana juaj, si organizatorë të ndeshjeve. Në mënyrë që rifillimi i edicionit të ri dhe i të gjitha aktiviteteve futbollistike të na gjejë sa më të përgatitur dhe ç’është më e rëndësishmja, sa më të mbrojtur. Edhe njëherë stërvitje të mbarë dhe suksese në punën tuaj!” – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka.