AlbanianSport.com 17/05/2020 23:10
ASNN – Klubi më i vjetër i futbollit në Shqipëri, Vllaznia, ka kaluar disa sezone të turbullta në këtë 10-vjeçar të fundit, kryesisht edhe për shkak të administrimit, duke zbritur madje, për herë të parë në histori, në Kategorinë e Parë. Por, prej kohësh, Bashkia e Shkodrës ka bërë një vlerësim të aksioneve, por asnjë biznesmen nuk ka qenë gati që ta marrë klubin, që sikurse dihet ka edhe një borxh që shkon në 1 milion Euro. Aktualisht, Bashkia Shkodër është aksionarja e vetëm dhe, por tanimë ka një kandidat që interesohet të marrë klubin.
Bëhet fjalë për Alban Xhaferin, biznesmen që ka ekskluzivitetin e kompanisë japoneze të fotografisë dhe imazhit, prodhimit të pajisjeve mjekësore dhe produkteve të ndryshme teknologjike dhe farmaceutike, “FujiFilm”. Por Xhaferi në Shkodër nuk është një i panjohur edhe sa i përket sportit. Ai është edhe presidenti i ekipit të basketbollit të Vllaznisë dhe po mendon që të përfshihet edhe në ekipin e futbollit. Në fakt, ai rrëfen se ka kohë që tifozët shkodranë e pyesin se pse nuk e merr ai edhe ekipin e futbollit. “Kjo më ka shtyrë që ta shikoj këtë si mundësi”, – thotë Xhaferi, duke folur posaçërisht për AlbanianSport.com.
“A ka shkodran që nuk do ta kishte një dëshirë të tillë, do të pyesja unë? – ka vijuar ai. – Unë them se jo dhe kjo është e natyrshme. Ndaj, nuk më mbetet tjetër veçse të them hapur se është e vërtetë që kam shfaqur interes për te marre Klubin e Futbollit “Vllaznia”.” Çdo gjë është në hapat e para dhe si fillim dëshira është pozitive. Sigurisht burokracitë janë të shumta, por Xhaferi dëshiron që të investojë në klubin e futbollit. Sidoqoftë, ai rrëfen se gjithçka është në hapat e parë. “Të jem i sinqertë, mes meje dhe drejtuesve të lartë të Bashkisë ka pasur vetëm gjëra spontane për këtë nismë.”
“Për momentin kaq mund të them, – vijon kreu i kuqebluve të koshit të meshkujve. – Nëse Kryebashkiakja Ademi dëshiron bashkëpunim, mund të ulemi dhe të gjejmë gjuhën e përbashkët për mënyrën si do të veprojmë. Unë e kam hedhur një hap, tani e shikoj si të udhës që ata të më thërrasin, nëse kanë një projekt konkret për ta lëshuar klubin. Ndaj, jam në pritje.” Tifozët shkodranë mezi presin që dikush të marrë klubin, që është nën menaxhimin e Bashkisë Shkodër, por biznesmeni sportdashës i ka të qarta idetë e tij sa i përket këtij bashkëpunimi.
“Unë nuk jam i interesuar aspak që të jem administrator i klubit, – ka rrëfyer ai. – Dëshiroj të shkoj më tej, por janë shumë gjëra për t’u diskutuar dhe sqaruar. Tashmë jam në pritje të asaj se çfarë do të ndodhë nga ana e drejtueses më të lartë të Bashkisë së Shkodrës. Modalitetet do të shikohen pastaj. Bëhet fjalë për një marrëdhënie biznesi, ku do të flitet për të gjitha. Çdo gjë është në hapat e parë. E rëndësishme është që të nisin bisedimit dhe pastaj duke parë e duke bërë. Megjithatë, për momentin mund të them se i kemi disa shtylla mbi të cilat do të mbështetemi.”
“Nëse do të na besohet Vllaznia e futbollit, ne do të veprojmë ashtu siç kemi bërë me basketbollin, pra, të punojmë me një plan afatgjatë, 3 deri në 5-vjeçar, i cili do të mbështetet mbi disa pika, – ka zbuluar 40-vjeçari. Së pari, është rikthimi i Vllaznisë pretende për titull, ashtu siç e meriton të jetë. Së dyti, është rritja dhe investimi më i madh në akademinë e klubit, ndërsa së treti, thelbësore do të jetë puna me marketingun, për rikthimin e emrit te madh mbarëkombëtar dhe më gjerë që ka Vllaznia, dhe për ta shndërruar këtë në përfitim për klubin”, – përfundon presidenti i ekipit të basketbollit të Vllaznisë, Alban Xhaferi, duke folur posaçërisht për AlbanianSport.com.