AlbanianSport.com 17/05/2020 22:25
ASNN – Është përsëritur shpesh shprehja se kohë të jashtëzakonshmebëjnë thirrje për masa të jashtëzakonshme dhe kështu po ndodh edhe me krizën e shkaktuar nga virusi korona. Kështu po ndodh edhe me futbollin dhe me rikthimin e tij, teksa është vendosur edhe për nivelin më të lartë të kampionatit spanjoll, La Ligën, atje ku do të ketë ndeshje në çdo ditë të javës.
Në vendet e freskëta luhet në orën 20:00, ndërsa atje ku është nxehtë akoma më vonë. Në një takimin mes drejtuesve të Federatës Spanjolle të Futbollit dhe atyre të La Ligës, është arritur të dielën një marrëveshje, përsa i përket rifillimit të kampionatit, që është planifikuar për në muajin qershor. Prej disa ditësh drejtuesit ishin në bisedime për oraret e ndeshjeve, teksa disa nuk dëshironin të luanin ditën e hënë.
Megjithatë është arritur një marrëveshje dhe ndeshje të La Ligës do ketë në çdo ditë të javës, ndërkohë që është vendosur që asnjë skuadër të mos luajë dy ndeshje brenda një harku kohor prej 72 orësh. Gjithashtu për shkak të temperaturave është vendosur që në vendet ku është freskët të luhet në orën 20:00, ndërsa në vendet ku temperaturat janë shumë të larta të luhet në orën 23:00, pra, pak para mesnate.