AlbanianSport.com 17/05/2020 19:25
ASNN – Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, ka folur të dielën sa i takon rifillimit të plotë të futbollit dhe përfundimit të sezonit, si dhe të veprimtarive evropiane të klubeve. Sipas kreut të organizmit që qeveris futbollin evropian, të gjitha kampionatet që do të vendosin për anulim, do të respektohen, por optimizmi mbetet i lartë se gjithçka do të përfundojë para muajit gusht. Plani i UEFA, për të përfunduar sezonin aktual, 2019-2020, është i qartë. Presidenti Çeferin beson se situata po shkon drejt normalizimit dhe kampionatet do të rikthehen
“Kemi një ide të qartë për mbarimin e sezonit, po presim datat zyrtare të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, – tha ai, duke folur për rrjetin sportiv ndërkombëtar, “BeIN Sport”. – Mund të them me bindje të plotë se sezoni do të përfundojë, para muajit gusht. Sezonet do të përfundojnë, gjithashtu dhe veprimtaritë kontinentale të klubeve. Unë mendoj se shumica e kampionateve të vendeve evropiane, le të themi 80%, do ta përfundojnë sezonin në afatin e përcaktuar”.
Edhe pse gjatë intervistës për rrjetin sportiv në fjalë, ai u shpreh mirëkupton vendimet e qeverive që mund të ndërpresin përfundimisht sezonin, kreu i organizmit evropiane të futbollit nuk e fshehu zhgënjimin e tij. “Për mua, vendimi i Francës për të anuluar sezonin ishte i nxituar, – tha Çeferini. – Sipas meje, gjërat gjithmonë mund të përmirësohen dhe të jemi të duruar. Por Qeveria e Francës mori një vendim. Çfarë duhet të bëjnë klubet? Të respektojnë vendimin e Qeverisë”.
”Shumica e kampionateve do të mbyllen, ata që nuk e mbyllin, do respektohen, është vendimi i tyre, – ka vijuar ai. – Sa i përket rastit të Ligës 1, nëse ekipet franceze nuk mund të luajnë në Francë në kuadër të Ligës së Kampioneve, atëherë të luajnë në stadiume neutrale pa tifozë. Nuk shoh ndonjë arsye që mund t’i ndalojë. Kemi dy skuadra franceze në Ligën e Kampioneve dhe ata nuk do të luajnë deri në gusht. Ndeshjet duhet të luhen në fushë neutrale ose në Francë.”
“E respektoj vendimin e Qeverisë së Francës, por asnjë nga ata nuk u konsultua me ne, – ka zbuluar slloveni. – Nuk e di nëse kështu do të jetë më mirë për klubet franceze apo jo, pasi ekipet që të ruajnë formën, duhet të luajnë rregullisht”. Ndërkohë, ish-juristi 52-vjeçar ka folur edhe për çështjen e kalendarit të riformatuar, që ka të ngjarë të ndikojë edhe përtej këtij sezoni. “Do të përshtatemi, – tha Çeferini. – Jemi në një situatë të jashtëzakonshme dhe duhet të mendojmë edhe për financat.”
“Nuk duhet të fshihemi, e pranojmë, ekonomia është shumë e rëndësishme, – ka këmbëngulur Presidenti i UEFA-s. – Kemi një plan për kalendarin, jemi optimistë se kampionatet dhe veprimtaritë evropiane të klubeve do të përfundojnë në verë, për të mos ndikuar në sezonin tjetër.”