AlbanianSport.com 17/05/2020 17:10
ASNN – Klubi vlonjat bën dezinfektimin e stadiumit për të plotësuar kushtet e protokollit shëndetësor. Për të plotësuar kushtet e kërkuara nga protokolli shëndetësor për rikthimin në fushën e blertë Stadiumi i Vlorë është dezinfektuar përgjatë pasdites së të shtunës. Megjithëse kuqezinjtë si skuadër nuk duken vetë gati për rifillimin e kampionatit, për sa u përket masave “anti-Covid-19”, ato janë zbatuar me përpikëri, sipas kërkesave të parashtruara.
Teksa pritet rifillimi i stërvitjes për skuadrat e të 3 niveleve të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, klubet janë duke marrë masat për të plotësuar kushtet e kërkuara nga protokolli shëndetësor për rikthimin në fushën e blertë. Për këtë qëllim, edhe në klubin e Flamurtarit, që mbyll renditjen e Kategorisë Superiore, Stadiumi i Vlorës është dezinfektuar përgjatë pasdites së të shtunës.
Fusha e blertë, korridoret, dhomat e zhveshjeve, ato të masazhit, tribunat, stolat e rezervave të dy ekipeve dhe gjithçka tjetër i është nënshtruar procesit të dezinfektimit. Megjithëse kuqezinjtë si skuadër nuk duken vetë gati për rifillimin e kampionatit, për sa u përket masave “anti-Covid-19”, ato janë zbatuar me përpikëri, sipas kërkesave të parashtruara.
Në fakt, në mbledhjen e para ditëve me drejtuesit e klubeve të Superiores, Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, është shprehur se rifillimi i kampionatit duket i padrejtë, pasi futbollistët nuk janë aspak gati për të rifilluar aktivitetin. Ndërprerja më tepër se 2 mujore, ka ndikuar padyshim negativisht në formën e lojtarëve, pasi shumica prej tyre kanë shtuar edhe peshë.
Në fakt, teksa kanë mbetur edhe 10 javë për t’u luajtur deri në fund të sezonit, Flamurtari mban vendin e fundit në renditjen e Kategorisë Superiore, me vetëm 11 pikë të grumbulluara në 26 javë, 3 pikë prapa Luftëtarit të vendit të parafundit, por plot 24 pikë pas Vllaznisë që mban vendin e 8-të që të çon në “play-off”-in e mbijetesës.