AlbanianSport.com 15/05/2020 17:30
ASNN – Pas Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë, edhe niveli i 3-të i Kampionatit Kombëtar të Futbollit, që njihet si Kategoria e Dytë do të rinisë më 7 qershor, ashtu sikurse e Para. Federata e Futbollit (FSHF) e ka njoftuar zyrtarisht diçka të tillë, ndërkohë që janë publikuar edhe kalendarët e ndeshjeve. Kampionati do të mbyllet me 25 qershor, kurse finalja e kësaj kategorie, do të luhet me 3 gusht 2020. Faza e “play-off”-it zhvillohet me 5-6 gusht 2020.
“Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar ditën e sotme përmes një video-konference një takim me presidentët e klubeve të Kategorisë së Dytë, me të dyja grupet përkatëse ku u diskutua mbi rifillimin e garës për këtë kampionat”, – thuhet në njoftimin e organizmit që qeveris futbollin në vend. – Kjo iniciativë e FSHF-së u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku, i cili i sqaroi të pranishmit me komunikimet e deritanishme me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë.”
“Por edhe për detajet në lidhje me protokollin që do të përdoret, – ka vijuar njoftimi i FSHF-së. – Drejtuesit e klubeve morën përsipër zbatimin e tij në praktikë. Gjatë takimit u shpjegua dhe kalendari që duhet të ndiqet ku dhe u ra dakord që kampionati për këtë kategori të rifillojë në datën 7 qershor 2020.”