AlbanianSport.com 14/05/2020 23:00
ASNN – Kategoria e parë rikthehet më 7 qershor, klubet dhe FSHF-ja bien dakord për kalendarin e ri, niveli i dytë i Kampionatit Kombëtar të Futbollit do të rikthehet edhe në ekranin e RTSH-së. Kështu, futbolli në Shqipëri do të rikthehet me fuqi të plotë në fillim të qershorit. Pas kërkesës së klubeve të Kategorisë Superiore për rikthimin e kampionatit, një gjë të tillë e kanë bërë edhe përfaqësuesit e Së Parës, pas takimit të zhvilluar të enjten në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kampionati do të rinisë më 7 qershor, për skuadrat e zonës së “play-out”-it dhe më 14 qershor, për ato të zonës së “play-off”-it.
Kështu, 8 skuadrat që luajnë për ngjitjen një shkallë më lart, në Kategorinë Superiore, 4 për secilin grup, kanë një javë më shumë kohë që të përgatiten. Kjo edhe për arsye se ky grup që synon ngjitjen ka dy skuadra më pas sesa ai i mbijetesës, rrjedhimisht, edhe më pak ndeshje. Më 18 maj është parashikuar të nisë stërvitja individuale dhe pak ditë më pas ajo ekipore, kështu që deri më 7 qershor stafet teknike të skuadrave të Kategorisë së Parë do të kenë rreth dy javë kohë që të përgatisin lojtarët për të përballuar pjesën e mbetur të sezonit. Në fakt, rinisjen e garës e kanë kërkuar shumica e klubeve dhe vendimi i djeshëm është pritur me entuziazëm.
Edhe pse të gjithë e dinë sesa e vështirë do të jetë pas gjithë kësaj situate, sepse rriten kostot financiare. Skuadrat e “play-off”-it të dy grupeve kanë më pak ndeshje për të zhvilluar, edhe 6 javë. Ato e nisin më 14 qershor dhe përfundojnë më 25 korrik, kurse ndeshjet shtesë luhen në datat 5 dhe 6 gusht 2020. Janë ndeshje përcaktuese për objektivin sezonal dhe i rëndësishëm është fakti që këtyre skuadrave u është dhënë shansi që gjithçka të vendoset në fushë. Skuadrat e pjesës së poshtme të renditjes, ato të “play-out”-it, kanë edhe 9 javë për të zhvilluar dhe për të caktuar se cila do të bjerë një kategori më poshtë.
Në këtë grup skuadrash, 5 nga Grupi A (është përjashtuar Shkumbini) dhe 6 nga Grupi B, ka ngjeshje më të madhe të ndeshjeve. Ato rinisin më herët, më 7 qershor, dhe mbyllen më vonë, më 29 korrik. Edhe në këtë rast, ndeshjet shtesë luhen në datat 5 dhe 6 gusht. Në këto ndeshjet vendet e dyta të çdo grupi ndeshen mes tyre dhe më pas fituesi sfidon vendin e 8-të të Superiores për të qenë në elitë. Në anën tjetër, vendet e 8-ta të çdo grupi të “play-out”-it do të kenë një ndeshje shtesë me një kundërshtar nga Kategoria e Dytë për të siguruar qëndrimin. Kështu, ky kampionat do të rikthehet gjithashtu edhe në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar me transmetimet direkte të ndeshjeve.