AlbanianSport.com 14/05/2020 20:15
ASNN – Sebastian Fetel zëvendosohet nga Karlos Sainzi tek “Ferrari”, Daniel Riçiardo zhvendoset tek “MekLaren”-i. Teksa pritet me padurim nisja e garave në Formula 1, një tjetër garë po zhvillohet edhe më e ethshme nëpër zyra dhe korridore, ajo e merkatos së pilotëve. E enjtja ka sjellë dy njoftime të bujshme, pasi Karlos Sainzi do të zëvendësojë Sebastian Fetelin tek “Ferrari”, ndërsa Daniel Riçiardo zhvendoset tek “MekLaren”-i.
Formula 1 ende nuk e ka nisur sezonin e saj të ri për shkak të epidemisë së virusit korona, që ka shpërthyer në shkallë globale, por kjo nuk do të thotë se sporti më i shpejtë në botë po bën pushim. Përkundrazi, teksa pritet me padurim nisja e garave, një tjetër garë po zhvillohet edhe më e ethshme nëpër zyra dhe korridore, ajo e merkatos së pilotëve. Vetëm pak ditë pas u konfirmua se Sebastian Feteli dhe “Ferrari” do ta mbyllin në fund të këtij viti bashkëpunimin e tyre 6-vjeçar, skuadra italiane ka nxitur të gjejë menjëherë zëvendësuesin e italianit.
Dhe ai është piloti spanjoll, Karlos Sainz, i cili do të marrë kështu vendin e lënë bosh nga italiani. “Ferrari” ka lëshuar një deklaratë për shtyp të enjten në mëngjes, ku ka konfirmuar se Sainzi do të largohet nga “McLaren”-i në drejtim të skuadrës italiane dhe do të jetë piloti tjetër i “kokëkuqes” për vitin 2021, përkrah Sharl Lëklerkut. Spanjolli ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me skuadrën italiane me bazë në Maranelo. Ndërkohë, edhe “MekLaren”-i nuk ka humbur kohë, duke e zëvendësuar Karlos Sainzin me Daniel Riçiardon si pilotin tjetër të saj për vitin 2021.
Kjo marrëveshje nënkupton se fituesi i 7 garave deri më tani në Formula 1 do të largohet nga “Renault”, për të cilën garoi për dy sezone pas largimit të tij nga “Red Bull”-i. “MekLaren”-i kishte shprehur interesimin prej disa kohësh, duke i bërë një ofertë australianit në 2018-ën. Por Riçiardo vendosi atëherë të nënshkruante me “Renault”, e cila u rendit pas “MekLaren”-it në garën e konstruktorëve vitin e shkuar. Ndërkohë, Lando Norris është konfirmuar gjithashtu si piloti tjetër i “MekLaren”-it, përkrah Riçiardos.