AlbanianSport.com 14/05/2020 19:20
ASNN – 23 gola të pësuar në 26 ndeshje, ose thënë ndryshe 0.88 gola për ndeshje e bëjnë atë një nga 10 portierët më të mirë në Evropë këtë sezon. Për më tepër, ai ka lënë pas emra të mëdhenj të portës kontinentale, të tillë si Nojer, Ter Shtegen, De Hea, Donaruma, Handanoviç dhe shumë të tjerë. Bëhet fjalë për portierin e Kombëtares kuqezi dhe të Lacios, Thomas Strakosha, i cili vazhdon të konsolidojë pozitën e tij midis shtyllave.
Është e përditshmja e mirënjohur spanjolle “Marça” ajo që e ka përpiluar këtë renditje, sipas të cilës, portieri i parë në Evropë për më pak gola të pësuar është Alison Beker. Gardiani brazilian i Liverpulit ka luajtur 20 ndeshje në këtë sezon dhe ka pësuar vetëm 11 gola. I dyti është portieri Rajkoviç i Reimsit në kampionatin francez dhe podiumin nderit e plotëson “kujdestari” i portës së Realit të Madridit, Tibo Kurtua, me 16 gola të pësuar në 24 ndeshje.
Në fakt, rritja e Strakoshës në këtë sezon ka qenë e dukshme dhe ai bashkë me Lacion e tij po sfidojnë për titullin “kampion” në Serinë A. 25-vjeçari ka bërë paraqitje mbresëlënëse me bardhekaltrit kryeqytetas në këtë sezon dhe ka arritur statistika shumë pozitive, duke u renditur i 9-ti në kontinent dhe duke lënë pas portierin e Juventusit, Sheznji. Gardiani kuqezi vlerësohet si një nga lojtarët më të shtrenjtë të Kombëtares shqiptare, me një çmim prej 20 milionë Eurosh.