AlbanianSport.com 13/05/2020 18:20
ASNN – Të mërkurën, përfaqësues të 10 klubeve të Kategorisë Superiore, nga të cilët 7 ishin presidentë e 3 administratorë, iu drejtuan zyrave të reja të FSHF-së dhe diskutuan në lidhje me protokollin sanitar që do të përdoret për të rikthyer futbollin e luajtuar. Duhet theksuar se Ministria e Shëndetësisë ende nuk e ka dhënë miratimin e saj dhe kjo është konfirmuar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, sikurse është konfirmuar edhe konsensusi për ta nisur kampionatin më 3 qershor dhe për ta përfunduar me 29 korrik.
Kreu i organizmi që qeveris këtë sport në Shqipëri foli edhe për diskutimin e mundësisë për ta ndalur futbollin. “Disa mendonin që edhe mund ta mbyllnim kampionatin, – ka thënë ai, duke folur për mediat pas takimit. – Jo vetëm penalizimi i UEFA-s është problem, por edhe karriera e futbollistëve. 6 muaj pa luajtur për një futbollist, do të ishte shumë e dëmshme. Është shumë mirë për ta. Kjo epidemi na ra për keq, por uroj ta kemi kaluar tani. Është shumë më mirë që të rikthehen të luajnë dhe të kapin ritmin e lojës, për të vazhduar sezonin e ardhshëm në kushtet normale.”
Sipas Dukës, kostoja për zbatimin e protokollit nuk është e lartë. “Protokollet nuk kanë ngarkesë ekonomike, thjesht duhet t’i respektosh, – ka sqaruar ai. – Kostoja e tyre nuk shkon më shumë se 2% e buxheteve të klubeve. Kultura e respektimit të rregullave, në shoqërinë shqiptare, nuk është shumë e mirë. Duket sikur ka kosto financiare, por nuk është kështu. Nuk është kosto financiare që futbollistët të zhvishen në dhomë, apo mos të përdorin shishen e ujit të njëri-tjetrit. Nuk janë shpenzime të jashtëzakonshme. Kosto reale është transporti.”
“Stafi duhet të udhëtojë më vete dhe futbollistët më vete, – ka vijuar ai. – Si dhe akomodimi në fushë të huaj, sepse futbollistët duhet të flenë në dhoma teke. Sot administrata e FSHF-së kanë dërguar në Ministrinë e Shëndetsisë protokollin sipas kërkesave, për rifillimin e stërvitjes dhe ndeshjes zyrtare. Besoj se do të kemi një përgjigje pozitive brenda javës. Nëse rikthimi do ishte më i shpejtë, do të kishte qenë më e përshtatshme. Jemi në këto kushte, por kemi gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme. Unë nuk kam frikë.”
“Është thënë që në datën 18 do të rikthehet stërvitje, ka vijuar ai. – Sidoqoftë, ne nuk mund të bëjmë ligjin. Nëse qeveria e ndryshon këtë, do të respektojmë vendimin e qeverisë. Jemi në kushte të reja, nuk mund t’i paraprijmë se çfarë vendimi mund të marrë qeveria. Të gjithëve do t’i matet temperatura para stërvitjes dhe ndeshjes, në qoftë se do të ketë shenja, patjetër që do ketë tampona.” Sipas burimeve pranë grupit të punës të ngritur nga Federata Shqiptare e Futbollit, nuk ka patur thuajse asnjë vërejtje për protokollin e paraqitur nga ana e Ministrisë së Shëndetsisë, por kjo e fundit nuk ka komentuar ende asgjë publikisht.