AlbanianSport.com 13/05/2020 14:40
ASNN – Me Olimpiadën që u shty për shkak të virusit korona kampioni olimpik i Japonisë në skermë, Rjo Mijake, e ka shkëmbyer maskën e tij metalike dhe shpatën, me një biçikletë. 29-vjeçari, i cili fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike të Londrës në 2012-ën e po përgatitej për të garuar në Olimpiadën që do të mbahej në vendin e tij, thotë se është duke punuar si shpërndarës për të ruajtur formën fizike dhe mendore, si dhe për të sjellë para në shtëpi.
“E fillova këtë për dy arsye, për të kursyer para për udhëtimet në garat e ardhshme dhe për të mbajtur veten në formë fizike”, – tha ai për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP). Si shumica e atletëve në botë, ai nuk po e përjeton mirë këtë situatë, pasi janë anuluar të gjitha garat për shkak të epidemisë. “Unë nuk e di kur mund të rifilloj stërvitjen ose kur do të zhvillohet turneu i radhës, – pohoi japonezi. – Unë as nuk e di nëse mund ta ruaj gjendjen time psikologjike ose motivimin për vitin e ardhshëm.”
“Askush nuk e di se si do të shkojë procesi i kualifikimit, – ka vijuar ai. – Pretendimi se gjithçka është në rregull për olimpiadën është thjesht i papërgjegjshëm.” Shtyrja e pashembullt e Lojërave Olimpike e goditi rëndë Mijaken. Ai zbuloi se ekipi japonez i skermës dëgjoi për shtyrjen një ditë pasi mbërriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një nga garat përfundimtare kualifikuese për në Olimpiadë. Në këto kushte për humbur mendjen ai ka vendosur të merret me diçka tjetër.
“Unë kam nevojë të jem gati fizikisht dhe financiarisht për momentin, – këmbëngul ai. – Ky është misioni im më i madh tani.” E për të mbajtur veten në formë, si dhe për të siguruar të ardhurat e nevojshme për garat e ardhshme, ai po merret me shpërndarje. “Biçikleta më mban në formë sepse bëj kilometra të tëra. Duke bërë shpërndarje të ushqimit, siguroj edhe burime financiare për të ardhmen”, – ka përfunduar kampioni olimpik i Japonisë në skermë, Rjo Mijake.