AlbanianSport.com 13/05/2020 11:55
ASNN – Ashtu sikundër ishte njoftuar, në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit ka nisur në ora 11:00 takimi me drejtuesit e klubeve të Kategorisë Superiore. Një ditë më parë, FSHF-ja kishte dërguar një përfaqësi në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Projekt protokolli sanitar për zhvillimin e ndeshjeve ka qenë në qendër të vëmendjes dhe ka një dakordësi për të.
Mbeten të zbulohen detajet dhe për këtë qëllim organizmi që qeveris futbollin në vend po zhvillon një mbledhje me të gjithë Presidentët e Kategorisë Superiore për të diskutuar mbi të gjitha mundësitë e rifillimit të futbollit. Kjo mbledhje vjen pas punës së kryer nga personeli i FSHF-së për përgatitjet mbi rifillimin e veprimtarive futbollistike në vend.
Ekspertët mjekësorë të Federatës kanë përgatitur një protokoll mjekësor, që është konsultuar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në dy takimet e zhvilluara ditët e fundit. FSHF-ja ka njoftuar se, në ditët në vazhdim Federata do të zhvillojë takime me të gjithë anëtarët e saj. Më tepër informacion mbi takimin që po zhvillohet, pritet të dalë në vijim.