AlbanianSport.com 12/05/2020 17:55
ASNN – Një skuadër “e moshuar” që duhet të bëjë kujdes? Duket e çuditshme, por bëhet fjalë pikërisht për Barcelonën, që ka 8 lojtarë të moshës mbi 30 vjeç, të cilët do të duhet të bëjnë kujdes të veçantë në këtë rikthim individual në stërvitje, përsa i përket dëmtimeve. Kjo pasi gjashtë prej tyre kanë pësuar dëmtime këtë sezon. Më seriozet, janë dëmtimet e Suárezit (menisk i gjurit të djathtë), Zhordi Albës (3 dëmtime të muskujve, dy në këmbën e majtë dhe një në të djathtë), Mesit (dëmtim në këmbën e djathtë) dhe Netos (frakturë e dorës së majtë dhe dëmtim i këmbës së majtë).
Rakitiçi ka pasur probleme me tendinën e Akilit dhe Pikéja, dëmtim në kyçin e këmbës së majtë. Vetëm Vidali dhe Busket kanë mbijetuar me vetëm disa probleme të vogla. Madje trajneri Setién ndihet optimist sepse e konsideron të dobishëm që seancat e para të stërvitjes janë individuale. Kjo do t’i lejojë secilit prej lojtarëve veteranë të bëjnë një punë specifike dhe ta bëjë më të lehtë rikuperimin kur të vijë koha për seancat stërvitore në grup.
Dallimi është i dukshëm se si lojtarët më të rinj, si Ansuja, Semedo, Zhunjori e De Jongu po e rimarrin formën shumë më shpejt se veteranët e skuadrës. Për këtë arsye, kjo fazë e parë e stërvitjes te Barcelona do të jetë shumë e përqendruar te përgatitja graduale e lojtarëve, të cilët kërkojnë ushtrime specifike për të mos u kontraktuar. Çështja e Albës është një nga më shqetësimet, te Barcelona, sepse nëse rifillon kampionati, ai duhet të luajë ndeshje çdo 3 ditë. Suarezi tashmë ka deklaruar, se është gati dhe rikuperimi i tij ka qenë i përsorur.
Lionel Mesi gjithashtu ka punuar intensivisht gjatë kohës së karantinës. Ai e di që, në moshën 33 vjeç, duhet të ketë shumë kujdes nga dëmtimet. Pikéja, Busketi ose Vidali kanë treguar se kanë një fizik të privilegjuar. Pra, megjithë futbollistët më të rinj në moshë, si Ter Shtegeni, Lengleti, De Jongu apo Griezmani, futbollistët 30-vjeçarë vazhdojnë të jenë “shtylla kurrizore” e skuadrës. E nga paraqitja e tyre do të varet e ardhmja e Barcelonës në kampionatin spanjoll, por edhe në Ligën e Kampioneve, natyrisht, nëse sezoni rifillon.