AlbanianSport.com 03.12.2014 23:35
ASNN – Shpresat ishin të pakta që në fillim, por kjo gjë nuk e ka zbehur zhgënjimin e Federatës Shqiptare të Futbollit për vendimin e Komisionit të Apelit. Pas kthimit nga Zvicra, presidenti Armando Duka zbulon detajet e seancës që zgjati për më shumë se shtatë orë. Pavarsisht vendimit, Komisioni i Disiplinës vërtetoi dyshimet dhe kontradiktat në lidhje me relacionet e zyrtarëve të ndeshjes. Presidenti i FSHF-së ka zbardhur e një moment tjetër të rëndësishëm, siç ishte kërkesa e palës serbe për të arritur një marrëveshje.
Beteja ligjore e Federatës Shqiptare do të vazhdojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Mundësitë në shkallën më të lartë të drejtësisë sportive janë më të mëdha, pasi ashtu siç pranon edhe Duka, ajo është e pavaruar nga UEFA. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv me qendër në Lozanë mund të marrë në shqyrtim çështjen brenda tre muajsh nga dorëzimi i kërkesës së Federatës Shqiptare të Futbollit. Vendimi i Komisionit të Apelit të UEFA-s ishte ashtu siç pritej nga pala shqiptare, pa asnjë ndryshim nga vendimi i mëparshëm i Komisionit të Disiplinës.
Por pavarsisht kësaj, kjo gjë ka sjellë zhgënjim edhe pse vetë presidenti Duka pohon se për një moment, gjatë kësaj seance të stërzgjatur, u duk se gjërat mund të ndryshonin. “Në përgjithësi, Komisioni i Apelit në UEFA nuk i rrëzon vendimet e Komisionit të Disiplinës, por gjatë zhvillimit të seancës së djeshme u krijua përshtypja se diçka do të ndryshonte duke dëgjuar dëshmitarët: gjyqtarët dhe delegatin. Në fund, vendimi më zhgënjeu duke u nisur nga ajo që pashë gjatë ditës”, – shpjegoi kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar.
Pika kyçe e të gjithë ngjarjes që implikon Shqipërinë dhe që nuk na jep atë çka meritojmë, 3 pikëshin në tavolinë, është relacioni i gjyqtarit të ndeshjes, i cili ka shkruar se përfaqësuesja e Shqipërisë ka refuzuar të rikthehet në fushën e lojës. Një gjë të tillë gjyqtari britanik Atkinson, në cilësinë e dëshmitarit në Apelin e UEFA-s, është përpjekur deri diku ta zbusë apo ta thotë ndryshe. “Deklarata e gjyqtarot ishte: “Unë nuk kisha vendosur nëse do të vazhdonte ndeshja, më parë pyeta palën shqiptare e më pas do të dilja të verifikoja nëse kishte kushte sigurie apo jo””, – sqaroi Duka.
“Nuk do të thotë se kishte një refuzim të një urdhëri për rifillimin e lojës”, – shtoi presidenti i FSHF-së. Ndërkohë, përpara fillimit të kësaj seance të Apelit, pala serbe ka kërkuar bisedime dhe gjetjen e një konsensusi me palën shqiptare, ku sigurisht kanë synuar favorizimin e tyre. “Para nisjes së seancës, serbët kërkuan një shtyrje prej 30 minutash për të gjetur një konsensus me ne. Propozimi i tyre ishte që t’i kërkonim UEFA-s të përsërisnim ndeshjen pa tifozë në Beograd. Kundërpropozimi ynë ishte që të merrnim ndeshjen në tavolinë”, – përfundoi presidenti i FSHF-së, Armando Duka.