AlbanianSport.com 12/05/2020 15:55
ASNN – Duket vendimi i shumëpritur i Gjermanisë për t’i hapur dritën jeshile rikthimit të Bundesligës ka shërbyer për t’i dhënë jetë efektit “domino” mbi kampionatet e tjera të vendeve të kontinentit të vjetër. Kështu, të martën, një tjetër qeveri ka dhënë lejen dhe një tjetër kampionat evropian ka mësuar datën e rikthimit në fushën e blertë.
Dhe ky kampionat tjetër i futbollit që do të rikthehet nuk është as larg Gjermanisë, përkundrazi. Bundesliga austriake zhvilloi dy ndeshjet e fundit në datë 8 mars 2020, por ky sezon do të përfundojë, pasi qeveria ka hapur “dritën jeshile” për rinisjen e futbollit, duke fiksuar edhe një datë.
Kampionati austriak do të rifillojë më datë 2 qershor 2020, teksa 3 ditë më përpara, do të zhvillohet finalja e Kupës së Austrisë (OFB Cup). Në këtë finale, Salzburgu do të ndeshet me Austria Lustenaun më 30 maj, për trofeun e dytë më të rëndësishëm në futbollin austriak.
Kujtojmë këtu se, në këtë kampionat, aktivizohet edhe Bekim Balaj. Sulmuesi shkodran është pjesë e Shturmit të Gracit dhe këtë sezon ka shënuar 7 gola. 623 njerëz kanë humbur jetën në Austri prej virusit korona, teksa të prekurit po i afrohen numrit 16 mijë, nga të cilët 14.148 janë shëruar.