AlbanianSport.com 06/05/2020 23:55
ASNN – Pas një takimi midis “Dorna Sports” dhe organizatorëve të garës në Herez, është vendosur që Botërori i Moto GP 2020 të nisë pikërisht aty në 19 korrik 2020. Fillimisht është rënë dakord që në Barcelonë të zhvillohen dy gara, në dy fundjava radhazi, pa spektatorë. Më pas do të vazhdojnë me 10 ose 12 gara të tjera nëpër Evropë. Kështu, po shihet më në fund dritë në fund të tunelit dhe Botërori i Moto GP-së për 2020-ën do të nisë më 19 korrik.
Kështu ka vendosur kompania që zotëron të drejtat e organizimit të kësaj veprimtarie, “Dorna Sports”, pas një takimi me përfaqësuesit e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIM) dhe me drejtuesit të garës së Herez. Sipas tyre, në Barcelonë do të zhvillohen dy gara, në dy fundjava radhazi, më 19 dhe 26 korrik 2020. Kjo do të bëhet gjithnjë në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore për të patur nën kontroll epideminë e shkaktuar nga virusi korona.
Programi sipas kreut ekzekutiv të “Dorna Sports”, Karmelo Ezpeletas, parashikon që Kampionati Botëror i 2020-ës të nisë me dy gara, në Herez në fund të korrikut e për ta kompletuar kalendarin me 10 ose 12 gara të tjera në pista të tjera evropiane. Kështu “Dorna Sports” po mendon të vazhdojë bisedimet me Barcelonën, për mundësinë që të zhvillojë edhe aty dy gara në dy fundjava radhazi edhe në pistën katalane të Montmelósë.
Garat me të cilat do të hapet Botërori do të zhvillohen pa spektatorë, e me një numër të reduktuar anëtarësh të skuadrave pjesëmarrëse, të organizatorëve dhe televizioneve. Sipas “Dorna Sports” do të jenë rreth 1,300 persona të pranishëm në cirkuit. Vështirësia më e madhe me të cilën duhet të përballen organizatorët e garave, është dërgimi në Herez i anëtarëve të skuadrave që jetojnë jashtë Evropës. Edhe pse data për garën e parë është 19 korriku, do të kenë kohë mjaftueshëm gjatë këtyre muajve për të zgjidhur këtë problem.