AlbanianSport.com 06/05/2020 23:15
ASNN – Pritet të rifillojë këtë muaj dhe kampionati spanjoll do të ndjekë shembullin e Bundesligës gjermane. Sidoqoftë, ndryshe nga Bundesliga, që do të rifillojë me datë 16 maj, në Spanjë nuk ka ende një datë zyrtare. Megjithatë, kjo gjë nuk e ka penguar Federatën Spanjolle të Futbollit (RFEF) që të bëjë propozimet e saj në lidhje me mbarëvajtjen e pjesës së mbetur të kampionatit.
Propozimi i fundit, ka në fokus shëndetin e futbollistëve. Federata Spanjolle ka propozuar që trajnerët e ekipeve të kenë në dispozicion 5 zëvendësime, në mënyrë që lojtarët të mos ngarkohen shumë fizikisht, pasi dhe kalendari pritet të jetë më i ngjeshur pas rifillimit. Edhe gjyqtarët mendohen se do të jenë më të kujdesshëm në dhënien e kartonëve të verdhë, për të ndihmuar sadopak me pezullimin e lojtarëve
Kështu pra, Federata Spanjolle e Futbollit me mbështetjen e “La Ligas” do t’i kërkojnë Bordit të Shoqatës së Futbollit Ndërkombëtar (IFAB) të lejojë 5 zëvendësime për pjesën e mbetur të sezonit në futbollin spanjoll. Kërkesa për ndryshim përfshin kategorinë e parë, të dytë, por edhe kampionatet amatore. Kjo do ta bënte Spanjën të parën në Evropë që kryen 5 zëvendësime.
Ndërkohë, qëllimi i vetëm është mbrojtja e shëndetit të lojtarëve. “5 zëvendësimet do të jenë të mundura për t’u bërë në 3 momente të ndeshjes. Kjo do të aplikohet për të gjitha ndeshjet në të gjitha veprimtaritë. Propozimi do të dorëzohet të premten. Qëllimi është mbrojtja e shëndetit të lojtarëve, pas mungesës së stërvitjes gjatë periudhës së izolimit”, – njoftoi Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales.