AlbanianSport.com 06/05/2020 22:35
ASNN – Ka qenë një vonesë e pakuptimtë prej thuajse 15 ditësh dhe tanimë nuk ka kohë për të humbur. Të enjten, Ministria e Shëndetësisë, me anë të një letre drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Ilir Shulku, rindezi shpresat për një rifillim të futbollit në Shqipëri, duke ftuar pjesëtarë të Federatës që të shqyrtojnë dhe të analizojnë protokollin higjieno-sanitar.
E menjëhershme ka qenë përgjigjja e FSHF-së, që njofton Ministrinë e Shëndetësisë se Grupi i saj i Punës, është gati. Ai përbëhet nga mjeku i ekipit kombëtar, italiani Xhanluka Stesina, si dhe mjekët shqiptarë, Mel Ostreni dhe Arjana Sina. Ky Grup Pune do të jetë nën koordinimin e Sekretarit të Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku. FSHF i ka bërë thirrje gjithashtu se po pret ditën e takimit të përbashkët.
Kështu, Federata Shqiptare e Futbollit, i ka dërguar menjëherë Ministrisë së Shëndetësisë, emrat e përfaqësuesve të grupit të punës për të analizuar protokollin për kthimin e sigurt në fushën e lojës të futbollistëve, pas kërkesës së ministrisë, të bërë publike ditën e enjte. Në shkresë është vendosur i pari emri i mjeku i përfaqësueses shqiptare të futbollit Xhanluka Stesina.
Ai është njëkohësisht një nga punonjësit e “J-Medical”, qendrës shëndetësore të Juventusit. Lista plotësohet nga mjeku i skuadrës së Kukësit, Mel Ostreni, si dhe nga mjekja e imazherisë, Arjana Sina. Gjithashtu bëhet e ditur nëpërmjet shkresës zyrtare të dërguar ministrisë se në këtë grup ekspertësh do të ishte i pranishëm edhe Sekretari i FSHF-së, Ilir Shulku për të garantuar gatishmërinë e administratës së FSHF-së.