AlbanianSport.com 06/05/2020 21:15
ASNN – Bundesliga e Gjermanisë në futboll ka përcaktuar rrugëndrejt rikthimit, ndërsa ndeshjet do të luhen prej 16 majit. Ky fakt e ka gëzuar edhe presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin. Niveli më i lartë i futbollit gjerman është kampionati i parë evropian që do të rikthehet në fushë. Skuadrat gjermane do të rinisin duelet mes tyre në datë 16 maj dhe ky sezon do të përfundojë në datën 28 qershor, vendim që është përshëndetur nga presidenti i UEFA-s.
Vendimi ka ngjallur entuziazëm te tifozët e futbollit, ndërsa atë e ka vlerësuar si shembull edhe Çeferini. Ai shfaqet entuziast në një prononcim për “Allgemeine Zeitung”, aty ku vlerëson nismën e shtetit gjerman dhe beson fort që rinisja e Bundesligës do të ndikojë për mirë edhe në rifillimin e përfundimin e sezoneve të futbollit në vende të tjera të kontinentit të vjetër. “Është një lajm i jashtëzakonshëm që autoritetet gjermane kanë rënë dakord për rifillimin e Bundesligës”, – ka thënë ai.
“Më duket një hap shumë pozitiv, njerëzit mund t’i rikthehen jetës së tyre me optimizëm dhe u uroj suksese të gjithëve”, – ka shtuar slloveni. “Ishte rezultat i dialogut konstruktiv dhe një planifikimi të kujdesshëm midis autoriteteve të futbollit dhe politikanëve, – ka theksuar kreu i UEFA-s i cituar nga revista sportive gjermane, “Kicker”. – Kam besim se Gjermania do të na sigurojë të gjithëve një shembull brilant sesi mund ta rikthejmë futbollin, me gjithë zbavitjen, emocionet dhe paparashikueshmërinë e tij