AlbanianSport.com 06/05/2020 18:35
ASNN – Duket se pas afro dy javësh të shkëmbimit të batutave nëpër ekrane televizive, më në fund po ka hapa konkretë drejt një dialogu midis Ministrisë së Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) sa i përket fatit të rinisjes së këtij sezoni të Kampionatit Kombëtar. Organizmi që qeveris futbollin në vend i pati drejtuar një kërkesë me shkrim autoriteteve përkatëse që më 22 prill.
FSHF kishte shpresuar në një lejim të stërvitjes që më 2 ose 4 maj dhe për t’iu rikthyer ndeshjeve të paktën në 10-ditëshin e fundit të majit. Por kjo kërkesë me shkrim nuk ka marrë ende një përgjigje zyrtare, ndonëse palët, zyrtarët e Federatës nga njëra anë dhe drejtueset e dy ministrive, asaj të Shëndetsisë dhe asaj të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, nuk kanë munguar të replikojnë në distancë nëpër intervista apo emisione televizive.
Por duket se ky ngërç po kalohet, teksa të enjten ka qenë Ministrja e Shëndetsisë, Olgerta Manastirliu, ajo që i ka hedhur poshtë idenë se qasja që qeveria ka patur ndaj futbollit, bën të duket sikur ai është lënë vetëm në këtë betejë. “Nuk është asnjë vetëm në këtë betejë, të gjithë jemi bashkë”, – ka thënë Ministrja, duke vijuar: “Sot kanë nisur diskutimet me FSHF-në dhe do të shohim mundësinë e hapjes së aktiviteteve sportive.”
“Natyrisht, do të fillohet me stërvitjet, për të vijuar më pas me ndeshjet, por gjithçka do të bëhet duke adoptuar protokoll strikt të shëndetit dhe sigurisë”, – ka shtuar ajo. Ndërkaq, të kontaktuar nga RTSH Sport burime zyrtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit kanë pohuar se nuk kanë ende ndonjë shkresë zyrtare nga Ministria e Shëndetsisë apo e ajo e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, por nuk e kanë përjashtuar mundësinë që një shkresë e tillë të mbërrijë të premten.