AlbanianSport.com 06/05/2020 17:15
ASNN – Një realitet i ri, që dikton reflektim, por edhe përshtatje të rregullave. Futbolli pritet të rikthehet, por me gjasa do të ketë rregulla të reja që lidhen me sistemin e Ndihmës-gjyqtari të Videos (VAR) dhe zëvendësimet, që nga 3 do të bëhen 5, por, sigurisht kjo do të jetë preferenciale. FIFA është gati ta pranojë propozimin dhe këtë e pohon edhe, shefi i gjyqtarëve në Itali, Nikola Ricoli.
“Mendoj se FIFA ka ndërmend të lejojë 5 zëvendësime, – ka thënë shprehet ai për “Sky Sport Italia”. – Në një fazë të sezonit, me shumë ndeshje njëra pas tjetrës brenda një kohe më të shkurtër dhe me temperatura të larta, do të duhet që të gjithë të bëjmë një hap përpara për të ndihmuar njëri-tjetrin.” Më tej ai thekson se do të duhet të respektohen disa rregulla të distancimit shoqëror.
“Duhet të sillemi ndryshe për të shmangur rreziqet, – ka thënë ish-gjyqtari italian. – Na duhet një hap në aspektin e kulturës, që shpresoj të jetë pozitiv për të gjithë. Jemi duke punuar me UEFA-n dhe kampionatet e tjera për të përcaktuar kodin e sjelljes.” Plani është që të mos lejohet dhënia e duarve, të pështysh dhe të ndërrosh fanellën me kundërshtarin.
Një tjetër temë e rëndësishme është “VAR”-i, që fillimisht u mendua se nuk do të aplikohej në pjesën e mbetur të sezonit. Por Ricoli ka zbuluar ndryshimin që do të ndodhë në këtë drejtim. “Po punojmë për të zvogëluar rrezikun në minimum, pasi zakonisht janp 4 persona në dhomën e VAR. Ajo shifër do reduktohet në 3 dhe të gjithë do të jenë të veshur me maska dhe doreza”, – përfundoi Nikola Ricoli.