AlbanianSport.com 06/05/2020 15:15
ASNN – Presidenti i Lionit kërkon reflektim për fatin e sezonit në Francë pas vendimit të Bundesligës. Vendimi i Gjermanisë për të rifilluar Bundesligën jep shpresë se edhe sezoni i Francës ende mund të shpëtohet, edhe pse është vendosur që të mos vazhdohet. Kështu deklaruar të enjten presidenti i Lionit, Zhan-Mishel Olas, duke folur për të përditshmen e njohur sportive franceze, “L’Equipe”.
Javën e kaluar, Liga e Futbollit të Francës (LFP) e ka mbyllur edicionin teksa kanë mbetur edhe 10 javë për t’u luajtur, duke e shpallur Paris SG-në “kampione” dhe duke e lënë Lionin jashtë vendeve të Kupave të Evropës për sezonin e ardhshëm. Vendimi për ta përfunduar sezonin ka ardhur pas masave kufizuese të qeverisë franceze, që janë zgjatur deri më 1 shtator.
Ndërkohë kreu i klubit të Lionit ka deklaruar gjatë kësaj javë se klubi i tij do të ngrejë një padi civile mbi vendimin për ndërprerjen e kampionatit. Të mërkurën, Bundesliga gjermane ka njoftuar se do të rifillohet më 15 maj, pasi ka marrë lejen e qeverisë, duke u bërë kampionati i parë i madh në Evropë që do të rifillojë pas pezullimit për shkak të virusit korona.
“Unë po shoh se stërvitjet janë lejuar në gati 10 vende evropiane”, – ka thënë Olasi për “L’Equipe”, duke vijuar: “Duke marrë masa të njëjta, ndoshta edhe ne do të ishim në gjendje të përfundonim sezonin. Ne jemi në rrugën e gabuar, por nuk është tepër vonë që të provojmë dhe të mendojmë për diçka koherente. Përderisa ka jetë, ka edhe shpresë.”
“Për gjithë ata njerëz që na thonë të ndalojmë, pasi gjitha kampionatet e tjerë do të ndalojnë, vendimi i Gjermanisë është një hap i rëndësishëm”, – ka përfunduar ai. Pasi përfundoi në vendin e 7-të në Ligë 1, Lioni duhet të fitojë Kupën e Ligës së Francës apo Ligën e Kampionëve në mënyrë që të luajë në Evropë sezonin e ardhshëm. Por edhe finalja e Kupës së Ligës, midis Lionit dhe Paris SG-së është shtyrë për një afat të pacaktuar.