AlbanianSport.com 06/05/2020 18:40
ASNN – Prej kohësh flitet për një ulje të buxhetit për skuadrat e Formula 1. Dhe është Ros Brauni ai që ka theksuar, se edhe vetë drejtuesit e skuadrave më të rëndësishme, janë të interesuara për të ulur shpenzimet e tyre, për t’u barazuar disi me skuadrat më të vogla. Kufiri për vitin 2021 ka qenë 175 milionë dollarë, por gjatë diskutimeve është folur për ta ulur edhe më, deri në 145 milionë.
Një tjetër reduktim shpenzimesh deri në 130 milion dollarë është duke u diskutuar, për t’u përfshirë në vitin 2022. Kjo për t’i dhënë kohë dhe mundësi skuadrave më të mëdha, për të ristrukturuar strukturat e tyre, si dhe për të përshtatur makinat, me rregulloren e re. Por ka qenë “Ferrari” që ka kundërshtuar këtë ulje të madhe të buxhetit, e për këtë është shtyrë në njëfarë mënyre vendimi përfundimtar.
“Mendoj se detajet do t’i komunikohen skuadrave në ditët në vijim, – ka thënë Brauni. – Jemi konsultuar shumë me të gjitha skuadrat. Besoj se tani jemi në fazën e fundit dhe gjithçka shumë shpejt do të qartësohet. Objektivi ishte që me buxhetin e kaluar, të kishim një kampionati më konkurrues. Por mendoj se me situatën aktuale, mbështetja ekonomike në Formula 1, është përparësi.”
Brauni këmbëngul në faktin që Formula 1 do të ketë një të ardhme të shëndetshme, nëse skuadrat do të jenë të detyruara të shpenzojnë më pak. “I kemi sistemuar gjërat në të gjitha drejtimet, – ka deklaruar inxhinieri britanik. – Kemi ulur sasinë e parave që duhet të harxhojnë në Formula 1 dhe jemi duke rregulluar mënyrën e shpërndarjes së shpërblimevenë mënyrë që të fitojnë sa më shumë skuadra.”
“Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, atëherë po që kemi siguruar një të ardhme më të mirë”, – përfundoi Drejtori Teknik dhe Administrativ i Formulës 1.