AlbanianSport.com 06/05/2020 17:55
ASNN – Prit të presim. Kështu po ndodh edhe me fatin e këtij sezoni të futbollit shqiptar, teksa një herë Ministra e Shëndetsisë dhe njëherë ajo e Sportit, dalin dhe mundohen të japin idenë e tyre se kur mund të ndodhë një gjë e tillë. Ajo që të dyja zonjat, si Olgerta Manastirliu, ashtu edhe Besa Shahini kanë arritur të thonë, janë se nuk e dinë se kur mund të rikthehet futbolli, por kanë harruar të sqarojnë se pse nuk i përgjigjen ende një shkrese zyrtare Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), që mban datën 22 prill 2020 dhe që u drejtohet të dyjave.
Në atë që ishte rrekja e radhës për të sqaruar diçka, këtë radhë është Ministrja e Arsimit Besa Shahni, ka deklaruar se vendimi për nisjen e kampionatit të futbollit mund të merret më datë 11 maj. Ajo tha se kjo datë përkon me dy javë që nga nga 27 prilli, kur edhe u bë lehtësimi më i dukshëm i masave duke lejuar hapjen e disa bizneseve. “Unë do doja të rifillonte futbollit por duhet të kemi durim”, – ka thënë zyrtarja, duke shpalosur, sikundër Manastirliu, dashurinë e saj të supozuar për futbollin.
“Me 11 maj bëhen dy javë nga hapja e 27 prillit, – ka vijuar 38-vjeçarja e lindur në Prishtinë. – Ky dy javësh do tregojë nëse janë rritur numrat për të parë se si do të veprohet. Në varësi do të vendoset nëse sporti do të lejohet të fillojë. Pas kësaj do i japim përgjigje kësaj pyetjeje.” Megjithatë, fakti mbetet që, edhe përkundër mendimit të ekspertëve të njohur si mjeku Pëllumb Pipero, futbolli shqiptar mbetet jo vetëm pezull, por edhe pa një përgjigje zyrtare nga autoritetet.