AlbanianSport.com 05/05/2020 22:25
ASNN – Nga jugu, drejt kryeqytetit. Ky mund të jetë rrugëtimi i Elseid Hysajt, pasi mësohet Roma është duke këmbëngulur për transferimin e mbrojtësit të Shqipërisë. Madje, sipas asaj që shkruan “Calciomercato.com”, skuadra kryeqytetase është e gatshme t’ia ofrojë Rik Karsdorpin në shkëmbim për Hysajn këtë verë.
Në fakt, futbollisti kuqezi ka luajtur vetëm 13 ndeshje në Serinë A këtë edicion me Napolin dhe ka realizuar një gol. Kontrata e 26-vjeçarit me skuadrën napolitane skadon në verën e vitit të ardhshëm. Ndërkohë, Karsdorpi këtë edicion është huazuar te Fejënordi në Holandë, por mund të kthehet në verë në Itali, për t’u zhvendosur në jug.
Kështu, pra, me shumë mundësi, Elseid Hysaj do të largohet nga skuadra e Napolit në verë. Mbrojtësi i djathtë nuk ka pasur shumë hapësirë këtë sezon dhe po mendon largimin. Shkodrani do t’i japë fund aventurës së tij me napolitanët dhe kështu raporton e “Sky Sport Italia”.
Drejtuesit e Napolit kanë nisur të mendojnë dhe për zëvendësuesin e tij. Ata duan të afrojnë Davide Faraonin nga Hellas Verona. Ky i fundit mund të kalojë në “Sao Paolo” nëse lojtari i Kombëtares kuqezi zgjedh të largohet. Marrëveshja për Faraonin nuk do të jetë shumë e kushtueshme, pasi marrëdhëniet mes klubeve janë të mira.
Napoli bleu dhe Amir Rrahmanin nga skuadra e Veronës në merkaton e janarit, prandaj gjuha e përbashkët mund të gjendet shpejt.