AlbanianSport.com 05/05/2020 20:10
ASNN – Sikundër e ka bërë të ditur në një njoftim të sajin, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka bërë të ditur se ka parashtruar kërkesën pranë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për miratimin e planit për rinisjen e sezonit. Ndeshjet në kampionatin dhe Kupën e Kosovës kanë qenë të pezulluara që nga muaji mars, për shkak të masave të ndërmarra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit “Covid-19”.
Por tanimë, si të gjitha Federatat e tjera, edhe ajo e Kosovës është duke punuar në përgatitjen e një plani që do ta mundësonte rinisjen e kampionatit, pasi UEFA u ka dhënë afat deri më 25 maj Federatave anëtare të saj të vendosin se çfarë do të ndodhë me kampionatet dhe veprimtaritë e tyre të tjera. Në përpjekje për ta marrë këtë vendim, Federata ka kontaktuar edhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Por dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike për t’i kërkuar që të aprovohet plani i propozuar nga Federata. “Është kërkuar nga këto institucione që ta shqyrtojnë edhe një herë mundësinë që futbollit t’i japin dritën e gjelbër për rikthim në aktivitet më herët se sa është planifikuar me masat e reja lehtësuese, duke filluar nga 10 maji me lejimin e ekipeve për stërvitje në grupe”, – thuhet në njoftimin e publikuar nga FFK-ja.
“Më pas, të vijohet me fillimin e garave më 24 maj, me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës dhe, më 30 maj, me ndeshjet e mbetura të kampionatit”, – vijon njoftimi në fjalë. Presidenti i organizmit që qeveris futbollin në Kosovë, Agim Ademi, theksoi se FFK-ja po bën maksimumin, por se gjithçka varet nga vendimi që do ta marrin autoritetet e vendit.
Një gjë të tillë Ademi e tha gjatë takimit me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv, Ilaz Mjakun, Sekretarin e Përgjithshëm, Eroll Salihun, trajnerët dhe stafin mjekësor të ekipeve kombëtare dhe ekspertin Ajet Shosholli. “Stafi mjekësor i Kombëtares gjatë ditëve të ardhshme do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, – ka sqaruar më tej njoftimi i FFK-së.
“Kjo bëhet në mënyrë që të krijohet një protokoll se si të veprohet për çdo ndeshje dhe për masat që do të ndërmerren në rast të rifillimit të garave, e që më pas do t’u jepen udhëzimet e nevojshme stafeve mjekësore të klubeve”, – përfundon Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) lidhur me kërkesën që ka parashtruar pranë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për miratimin e planit për rinisjen e sezonit.