AlbanianSport.com 05/05/2020 19:25
ASNN – Debati për rikthimin e sportit, e në veçanti, të futbollit, në kuadër të rikthimit në normalitet, vazhdon të zhvillohet ethshëm në vendet e ndryshme të Evropës e natyrshëm, ai është më i rreptë në një nga vendet më prekura nga epidemia e koronavirusit, siç është Italia. Nuk kanë munguar argumentet dhe kundërargumentet nga palë të ndryshme, jo rrallëherë, edhe për përfitime politike.
Kështu ka ndodhur edhe me ish-kryeministrin Mateo Renzi, i cili nuk e ka kursyer Ministrin e Sportit, Vinçenco Spadafora, për qëndrimet që ai po mban ndaj futbollit. Në një bisedë të drejtpërdrejt në rrjetin social “Instagram”, me Xhanluixhi Pardon, Renzi fillimisht ngriti një pyetje. “Nëse nuk fillon në qershor nga frika e infektimit, atëherë nuk mund të nisë as në tetor. Ku është ndryshimi?”, – shprehet Renzi.
Më pas vijon mendimin e tij: “Ne duhet të rifillojmë përsëri, në futboll dhe në çdo sektor. Nuk mund të vazhdojmë të qëndrojmë akoma. Unë kam lëvizur, pasi shkova të bëj vrap dhe pashë jetën që ka rifilluar disi, ka më shumë fëmijë nëpër parqe. Futbolli nuk është për tipat e pasur dhe të pispillosur, është një botë që lëviz interesa të rëndësishëm ekonomikë në gjithë vendin, gjithashtu që ndez edhe pasionin e njerëzve”.
Në fakt, Spadafora ka qenë në shënjestër të kritikave me deklarata shpesh kontradiktore dhe arrogante dhe Renzi nuk i kursen kritikat. “Ministri i Sportit nuk mund të thotë atë që tha, që kjo është arsyeja pse vendosa të marr masa, – ka theksuar ish-kryeministri. – Futbolli është një gjë e rëndësishme, të vijë në parlament dhe të flasim. Një temë e tillë nuk mund të trajtohet me një arrogancë të tillë.”