AlbanianSport.com 04/05/2020 21:40
ASNN – Mjeku Pipero Pipero ka përsëritur edhe një herë mendimin e tij se kur mund të rifillojnë veprimtaritë futbollistike, duke theksuar se beson se kjo është e mundur, por vendimin e merr vetëm Komiteti i Ekspertëve. “Nuk mund ta them me siguri këtë gjë, pasi ka shumë skepticizëm kudo në botë dhe jo vetëm te ne”, – ka thënë ai teksa ka qenë i ftuar në një emision në “Syri TV”.
“Është e vështirë ta themi, por ajo që mund të them, bazuar në ecurinë e epidemisë në vendin tonë, ku ka qenë një epidemi nën kontroll, duke marrë në konsideratë kushtet që mund të zhvillohet një ndeshje pa tifozë, në rast se respektohen disa masa të rëndësishme higjienike, kam thënë se në këto kushte mund dhe duhet të fillojë”, – ka vijuar mjeku.
“Mendimi im është ky, ndërkohë që i takon grupit teknik pranë Ministrisë së Shëndetësisë për të marrë vendimin”, – ka shtuar Pipero. Por i pyetur nëse e ka idenë se kush është drejtuesi i komitetit të ekspertëve, ai nuk pranoi të tregonte emra. “Natyrisht që kam dijeni se kush janë, – ka thënë mjeku. – Një pjesë e tyre janë kolegë që shpesh shkëmbejmë ide dhe mendime, por nuk është në tagrin tim të tregoj emrin e drejtuesit të komitetit teknik.”
“Do t’ju lutesha të mos m’i bëni mua këto pyetje, pasi nuk mund të them më shumë. Bashkë mund të diskutojmë për aspektin teknik, një emër ka, por s’mund t’ua them unë. Ka një komitet teknik, një komitet ekspertësh. Këto janë institucion, çfarë rëndësie ka emri”, – ka përfunduar mjeku Pëllumb Pipero. Duhet theksuar se, përkundër linjës së mbajtur nga Ministria e Shëndetsisë dhe titullarja e saj, Pipero ka qenë pozitiv sa i përket mundësisë së rikthimit në fushë të futbollit.