AlbanianSport.com 04/05/2020 20:55
ASNN – Kishte spikatur me talentin e tij në kampionatin slloven, çka bëri që të fitojë një zhvendosje të bujshme përtej kufirit, tek klubi i madh kroat i Hajdukut të Splitit. E atëherë Françesko Tahiraj ishte një emër që iu përmend shpesh ish-trajnerit kuqezi, Kristian Panuçi, si një kandidat potencial për të veshur fanellën kuqezi. Por një gjë e tillë nuk u bë realitet atëherë.
Talenti shqiptar, i rritur në akademinë e Juventusit e që tashmë aktivizohet me Hajdukun e Splitit në Kroaci, ka zbuluar se do kishte marrë edhe ftesën nga Kombëtarja për ndeshjet miqësore, por epidemia e koronavirusit prishi gjithçka. “Nuk ka qenë e lehtë për mua që të kaloj nga Italia në Slloveni duke përfshirë këtu ndarjen nga familja”, – ka rrëfyer ai për mediat sportive shqiptare.
“Në moshën 18 vjeç kalova në Slloveni e ndenja 3 vite ku u rrita, tani jam në Kroaci dhe ndihem shumë mirë, – ka vijuar ai. – Ftesa nga Kombëtarja më ka ardhur, por fatkeqësisht koronaviurusi na prishi planet. Isha i ftuar për ndeshjet miqësore me San Marino dhe Slloveninë. Nuk mund të them më shumë se kaq, por kjo varet nga ecuria ime në fushë.”