AlbanianSport.com 04/05/2020 19:25
ASNN – Lojtarja e Kombëtares së futbollit të femrave rrëfen karantinën dhe bën apel për rikthimin. Një periudhë karantine që i ka patur të dyja anët e medaljes. Kështu e ka cilësuar futbollistja e Juban Danjës, Paula Jaku, ndërprerjen e kampionatit për shkak të koronavirusit. Por lojtarja e Kombëtares kuqezi të vajzave bën apel që edhe futbollit t’i hapet tanimë drita jeshile për rinisje.
Juban Danja është ekipi i parë i futbollit të femrave në Shqipëri dhe skuadra që ka marrë pjesë në çdo edicion të kampionatit të topkëmbës së vajzave. Por sikundër i gjithë sporti në vend edhe ky kampionat është ndërprerë dhe për kapitenen e kësaj skuadre, njëkohësisht edhe njërën nga vajzat e themeluesit të këtij ekipi, Ferdinand Jakut, Paulën, kjo periudhë karantine i ka patur të dy anët e medaljes.
Duke folur për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, 22-vjeçarja rrëfen se e gjithë skuadra vazhdon stërvitjen individuale përtej karantinës. Lojtarja e Kombëtares kuqezi të vajzave bën apel që edhe futbollit t’i hapet drita jeshile për rinisje. Në këto 11 edicionet të Kampionatit Kombëtar të Futbollit për Femra, Juban Danja është shpallur dy herë nënkampione, ndërsa e ka fituar edhe dy herë Kupën e Shqipërisë.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: