AlbanianSport.com 04/05/2020 16:25
ASNN – Teksa epidemia e koronavirusit po nis të ulë ritmet e saj, si sa u përket të infektuarve, ashtu edhe viktimave, por rriten ndërkohë polemikat rreth rifillimit të futbollit në Serinë A. Një nga protagonistët e këtyre debateve është edhe ish-futbollisti shqiptar, Igli Tare, i cili i qëndron fort idesë që kampionati duhet të përfundojë. Duke folur për “Sky Sport Italia”, ai ndalet te situata e vështirë e futbollistëve.
Drejtori sportiv i Lacios analizon qëndrimin e klubit të tij, flet për garën e titullit, thumbon rivalët dhe e mbyll me FIFA dhe UEFA-n, duke deklaruar se kampionati duhet të përfundojë me çdo kusht, madje edhe nëse rinis në shtator. “Futbollistët nuk po durojnë dot më pa futboll dhe janë të gatshëm psikologjikisht për të luajtur, – ka deklaruar ai. – Dje festuan të gjithë, pasi, më në fund, mund të rikthehemi në fushë.”
“Dëgjoj fjalë që Ministri i Sporteve mund të vendosë ndërprerjen e kampionatit, por nuk është në kompetencat e tij”, – ka theksuar Tare, i cili ka patur edhe një duel në distancë me deklarata me titullarin e qeverisë italiane për sporti, Vinçenco Spadadfora. – Është shumë e rëndësishme të mbyllet ky sezon. Lacio ka qenë klubi i parë që u ndal dhe një nga klubet e para që ka respektuar të gjithë direktivat që prej ditës së parë.”
“Ne do e nisim stërvitjen të mërkurën, – ka vijuar 46-vjeçari. – Flitet sikur kemi frikë nga gara për titull, por nuk jemi të shqetësuar.” Shqiptari ka folur edhe për pretendimet e klubit roman kur të rinisë kampionati i ndërprerë në mesin e marsit. “Kemi fituar gjithçka në fushë, mungojnë 12 ndeshje dhe jemi një pikë larg Juventusit, – ka thënë ai. – Më duket e madhe fjala “titull”.
“Ne duam të japim një sinjal të fortë për sistemin italian të futbollit, – ka këmbëngulur Tare. – Kemi qenë agresivë, sepse ndalesa e Serisë A, që është industria e tretë në vend, do të shkaktojë dëme shumë serioze. Në fakt, asnjë nga lojtarët tanë nuk është larguar nga Roma, teksa më rezulton se shumë skuadra të tjera kanë akoma lojtarë që nuk janë kthyer në Itali.
“S’më takon mua të gjykoj, por mendimin tim mund ta them.FIFA dhe UEFA, e kanë sqaruar mirë që kampionatet duhet të përfundojnë brenda vitit kalendarik. Ka shumë rëndësi ta mbyllim këtë sezon, edhe nëse do të na duhet ta rinisim në shtator”, – ka përfunduar Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare.