AlbanianSport.com 04/05/2020 15:40
ASNN – 3 protagonistët botërorë të këtij sporti dhurojnë emocione në garën në distancë. Një konkurrim i pazakontë ka ndodhur në disiplinën e kërcimit me shkop, atje ku përballë njëri-tjetrit 3 nga sportistët më të spikatur të momentit. Ish-kampioni olimpik, Lavileni i Francës, mbajtësi aktual i rekordit botëror, suedezi Duplantis, dhe kampioni në fuqi i botës, amerikani Kendriks, kanë dhuruar emocione në një garë të zhvilluar në 8,000 km largësi. Në fakt, periudha e karantinës i ka sfiduar organizmat sportivë por edhe sportistët për të gjetur rrugë të reja konkurrimi.
Dhe një konkurrim i tillë ka ndodhur në disiplinën e kërcimit me shkop, atje ku përballë njëri-tjetrit 3 nga sportistët më të spikatur të momentit, siç është ish-kampioni olimpik, Reno’ Lavileni i Francës, mbajtësi aktual i rekordit botëror, suedezi Mondo Duplantis, dhe kampioni në fuqi i botës, Sem Kendriks. Në atë që ishte një garë e kërcimit me shkop në oborrin e shtëpisë, Kendriksi po garonte nga Oksfordi i Misisipit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Duplantisi nga Lafajeta e Luizianës po në SHBA, ndërsa Lavilenia nga oborri i shtëpisë së tij në Klermont-Ferrond në Francë, plot 8,000 km larg.
E mbiquajtur “Përballja më e Spikatur në Kopësht (The Ultimate Garden Clash), të 3 atletët provuan të kalonin lartësinë 5 metra sa më tepër që mundeshin brenda një afati kohor prej 30 minutash, në një format që e kishin miratuar më parë së bashku, ndërsa gjithçka erdhi nëpërmjet lidhje direkte me video, ku sportdashësit patën mundësi ta shikonin garën nëpërmjet rrjeteve sociale të Federatës Botërore të Atletikës. Duplantisi krijoi një epërsi të hershme, para se të arrihej nga Lavilenia, ndërsa Kendriksi po mundohej të mbante ritmin me ta.
Në fund të 30 minutave, Lavilenia dhe Duplantisi kaluan lartësinë e 5 metrave 36 herë, ndërsa Kendriksi 26 herë. Të 3 sportistët rrëfyen më pas se u kishte munguar konkurrimi dhe e shijuan këtë garë në distancë, të ndjekur nga dhjetëramijëra sportdashës anembanë rruzullit. Ndërkaq, Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës (World Athletics), Lordi Sebastian Koe ka thënë se shpreson të ketë ngjarje të tjera të tilla gjatë kësaj periudhe izolimi për shkak të koronavirusit. Ai ka shtuar se po shqyrtohet mundësia që të organizohet ngjarje të ngjashme në të ardhmen.
Klikoni videon e mëposhtme për kronikën e plotë: