AlbanianSport.com 03/05/2020 23:55
ASNN – Vedat Muriqi i ka realizuar 15 gola këtë sezon deri më tani me ekipin nga Stambolli, ndërsa ka spikatur edhe me përfaqësuesen e Kosovës. Dhe këto paraqitje të shkëlqyera kanë tërhequr edhe vëmendjen e ekipeve të mëdha. E përditshmja e mirënjohur sportive italiane “La Gazzetta dello Sport” e kishte përmendur edhe para 3 javësh, por është rikthyer të raportojë të dielën se sulmuesi i Kosovës, është në radarin e Lacios, që e dëshiron për sezonin e ardhshëm.
Në artikullin e të përditshmes sportive në fjalë, thuhet se trajneri Simone Inzagi kërkon një lojtar të fortë për sulmin dhe profili ideal që i përshtatet dëshirës së italianit është Muriqi. Drejtori Sportiv i Lacios, Igli Tare, pritet t’i futet punës menjëherë për ta marrë në Itali, por nuk do e ketë të lehtë duke ditur që për sulmuesin interes ka shfaqur edhe Totenhemi. Nga kjo kërkon të përfitojë Fenerbahçe, që do të hapë një ankand duke filluar të paktën 20 milionë euro.
Tare po e mendon strategjinë për ta arritur një gjë të tillë, teksa nuk është më sekret që sulmuesi kosovar është objektiv i klubit të Serisë A. E përditshmja e mirënjohur sportive italiane “La Gazzetta dello Sport” raporton se Tare po mendon të flasë personalisht me prizrenasin. Raportohet se “bardhekaltërit” janë të gatshëm të paguajnë 20 milionë euro për kartonin e Muriqit. Por, më herët, e njëjta gazetë pati raportuar 25-vjeçarin e do gjithashtu edhe klubi tjetër italian, Napoli.
Ndërkohë që raportohet se, në Angli, futbollistin nga Kosova e pëlqejnë 6 klube, e më konkretisht Totenhemi, Mançester Junajtid, Leister Siti, Njukasëll Junajtid, Bërnli dhe Brajtoni. Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit turk të Fenerbahçes synon të nxjerrin deri në 25 milionë Euro nga shitja e ish-futbollistit të Rizesporit. Siç raporton e përditshmja e mirënjohur sportive italiane, shpresohet që të ketë efekt përpjekja e Drejtorit Sportiv të Lacios, për të biseduar personalisht me futbollistin nga Kosova.