AlbanianSport.com 03/05/2020 19:25
ASNN – Ish-mbrojtësi i Skënderbeut dhe një nga titullarët e përfaqësueses së Kosovës, Fidan Aliti, është pranë hapit të madh në karrierë, teksa për të ka shprehur interesim edhe gjigandja e futbollit turk, Beshiktashi. Një lajm i tillë është bërë i ditur nga mediat turke, sipas të cilave, Aliti pëlqehet shumë nga drejtuesit e klubit nga Stambolli.
Po sipas këtyre mediave, drejtuesit e klubit stambollit do ta bëjnë një tentativë për ta afruar atë në Superligën turke. Aktualisht, Aliti aktivizohet në kampionatin suedez, me skuadrën e Kalmarit, me të cilën ka zhvilluar një sezon pozitiv. Faqja e specializuar sportive në Internet, Transfermarkt.de, e vlerëson kartonin e Alitit në 550 mijë euro.
Një shifër mëse e përballueshme kjo për një klub si Beshiktashi. Aliti u largua nga Skënderbeu një vit më parë për rreth 150 mijë euro dhe mësohet se korçarët kanë ruajtur një përqindje të kartonit të 26-vjeçarit dhe mund të përfitojnë të ardhura të tjera nga rishitja e tij.
Skënderbeu disponon 25% të kartonit të mbrojtësit. Kësisoj, drejtuesit e klubit bardhekuq shpresojnë që titullari i përfaqësueses së Kosovës të shitet për një shifër sa më të lartë, në mënyrë që të përfitojë sa më shumë. Klubi suedez kërkon që ta lerë të lirë 26-vjeçarin, në rast se oferta është diku të 1 milion Euro.
Në rast se mbrojtësi transerohet te Beshiktashi për një shifër në kufijtë e 1 milion Eurove, atëherë plot 250,000 Euro do të shkojnë në llogarinë e Skënderbeut që disponon 25% të kontratës. Por kjo mbetet për t’u parë, sepse nga 150,000 Euro që u shit në Suedi, tek 550,000 Euro që vlerësohet e tek 1 milion Euro që shpresohet, diferenca është shumë e madhe.