AlbanianSport.com 02/05/2020 23:10
ASNN – Ka qenë një nga më stoikët në futbollin e vendeve të Evropës, duke këmbëngulur që futbolli duhet të rifillojë sa më shpejt. Dhe, të shtunën, Presidenti i Federatës Shqiptare të së Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka bërë të ditur se po planifikohet që ndeshjet të rinisin në maj, çka do të thotë, sipas tij, se Shqipëria duhet të jetë ndër të parat që rinis ndeshjet dhe se nuk duhet të mendohet për anulimin e kampionatit. Prej afro dy muajsh, të gjitha veprimtaritë sportive janë ndalur për shkak të epidemisë së “Covid-19”, dhe tanimë edhe kampionatet e mëdha të vendeve evropiane po tentojnë të gjejnë mënyra se si t’i kthehen futbollit.
E ndërkohë që kjo kohë e rikthimit në fushën e blertë po luhatet nga fundi i majit e deri në korrik, Duka ka bërë të ditur se kampionati në Shqipëri planifikohet të rinisë qysh në fund të majit. “Kemi përgatitur një protokoll dhe shpresojmë që në fund të majit të rifillojmë, – ka deklaruar ndër të tjera kreu i organizmit që qeveris futbollin në vend, në një intervistë të posaçme dhënë për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH). – Duke parë që e gjithë Evropa po e rifillon futbollin, pse të mos e bëjmë edhe ne. Sigurisht duke pasur kujdes dhe duke krijuar një protokoll për të qenë të sigurt pas rikthimit. Ne kemi parë protokollin që ka bërë Gjermania.”
“Dushet futbollistët t’i bëjnë në shtëpi dhe jo në stadium, – ka vijuar 57-vjeçari. – Në stadium të mos ketë më shumë se 100 persona. Pak a shumë këto janë disa nga kushtet që duhen respektuar për tu mbrojtur nga virusi. Unë nuk mendoj që Shqipëria është një nga vendet që duhet të pezullojë kampionatin, duke parë edhe statistikat. Përqindja e të prekurve dhe viktimave është një nga më të ulëtat në Evropë. Ne duhet të jemi një nga vendet e para që duhet të rikthejmë futbollin. Ne jemi një vend i varfër dhe duhet të punojmë sa më shumë, nuk mund t’i mbyllim njerëzit brenda.”
“Duhet të rikthehemi në jetën e përditshme, – ka këmbëngulur presidenti i FSHF-së. – UEFA ka marrë një vendim se fundmi dhe vendet si Shqipëria, në Kupat e Evropës do marrin pjesë 4 ekipe. Rënia nga kategoria do bëhet sipas klasifikimit”. Futbolli shqiptar vazhdon të jetë e pezulluar dhe ende nuk ka një datë për rifillim e saj, për shkak të ndalesës që u bë nga përhapja e koronavirusit. Në intervistën në fjalë, Duka ka treguar se Tirana ka probleme me tatimet dhe taksat, por edhe për paketën e dytë e ndihmës që Federata ka dhënë për komunitetin e futbollit në vend.
“Ne kemi paguar 95% të pagave të muajit të kaluar dhe sapo të përfundojmë, do të nisim të japim edhe pagën e dytë, – ka sqaruar ai. – Licencimi? Deri në fundin e prillit klubet duhet të dorëzonin dokumentet për taksat dhe tatimin. Tirana mesa di unë ka pasur probleme, por ka pasur një marrëveshje me drejtorinë e tatimeve për t’i shlyer në kohë detyrimet e saj dhe në dijeninë time i ka shlyer. Kriteret e licencimit për sezonin e ardhshëm do të jenë më të rrepta. Tifozët? Është e drejtë që futbollistët impenjohen më shumë kur ka tifozë. Unë uroj që sa më shpejt të kemi stadiume me tifozë.”
“Por nuk është diçka që mund të parashikohet nga unë. Uroj që edhe ne të kthehemi sa më shpejt dhe të luajmë me tifozë”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës Shqiptare të së Futbollit (FSHF), Armand Duka, duke folur në një intervistë të posaçme dhënë për Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH). Siç dihet, bazuar mbi shkresën e dërguar autoriteteve shqiptare, që mban datën 22 prill 2020, FSHF-ja ka kërkuar që skuadrat t’u kthehen stërvitjeve më 2 maj. Në fakt, ishte shpresuar që, në rastin më të keq, të hënën e 4 majit, skuadrat të lejohen të stërviten.
Natyrisht mbi bazën e një protokolli shëndetësor dhe mbrojtës nga ana e autoriteteve përkatëse. Por gjithçka ka mbetur pezull, teksa në FSHF pohojnë se nuk kanë marrë ende përgjigje për këtë çështje. Në të njëjtën kohë, RTSH Sport ka raportuar të enjten kontaktuar edhe me Ministrinë e Shëndetsisë lidhur me shkresën mbi këtë çështje, nga e cila ka marrë një përgjigje të shkurtër, që “ende nuk ka një vendim nga autoritetet përkatëse mbi këtë çështje”. Por edhe të premten, në konferencën e Institutit të Shëndetit Publik, është prekur si temë edhe futbolli.
“A do ketë një përgjigje për FSHF”, ka qenë pyetja, ndërkohë përgjigjja ka qenë: “Patjetër, në vazhdim Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do t’ju informojë”.