AlbanianSport.com 02/05/2020 20:10
ASNN – “Nëse funksionon, unë jam i kënaqur, e nëse unë jam i kënaqur, ajo është e vërtetë”. Në fakt, ky postulat i Rene Dekartit duket se po gjen zbatim nëpër mjedisin futbollistik anembanë Evropës, që po kërkon mënyra dhe rrugë të sigurta për t’u kthyer në fushën e blertë. E këto mënyra apo rrugë nuk janë gjithmonë ato klasiket, por shpesh edhe të pazakonta apo eksperimentale. Por, sidoqoftë, e rëndësishme është të funksionojnë.
Kështu duket se po ndodhur edhe mundësitë e rikthimit të futbollit anglez në fushën e blertë. Sipas asaj që raportojnë mediat vendase, klubet e Premier Ligës Angleze kanë rënë dakord që të përdorin vetëm disa nga stadiumet për të përfunduar sezonin aktual, të ndërprerë në mesin e marsit. Me pak fjalë, sapo qeveria e Kryeministrit Boris Xhonson të hapë dritën jeshile për t’u rikthyer në fushë, duket se ky do të jetë plani që mund të realizohet.
Pas një takimi afro 3 orë e gjysmë të realizuar në mënyrë virtuale, pra, nëpërmjet video-konferencës, midis shefave të klubeve, këta të fundit kanë rënë dakord. Stërvitja për ekipet do të rifillojë më 18 maj dhe ndeshja e parë pritet të zhvillohet në 12 qershor, datë e cila do të priste në fakt edhe ndeshjen e parë të “Euro 2020”, të shtyrë tanimë për në 2021-shin. Stadiumet në fjalë janë dy impiantet e klubeve të Mançesterit, Junajtid dhe Sitit, që i plotësojnë të gjitha kushtet.
Në Londër, të përzgjedhurit do të jenë stadiumi i Uest Hemit si dhe Stadiumi “Emirates” i Arsenalit. Në pjesën perëndimore janë përzgjedhur stadiumet e Aston Vilës dhe ai i Sauthemptonit. Gjithashtu, dhe Brajtoni dhe Leister Siti do të kenë fatin të luajnë në shtëpi, edhe pse dyert do të jenë të mbyllura për tifozët. Megjithatë, çdo gjë për momentin është në kuadrin e hipotezave, ndonëse duhet theksuar se skuadrat kanë nisur dalëngadalë edhe të zhvillojnë seanca stërvitore në grupe të vogla dhe nën masa të rrepta shëndetësore.