AlbanianSport.com 01/05/2020 19:25
ASNN – Në mbledhjen e mbajtur të enjten në mjediset e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Komiteti Ekzekutiv i saj ka marrë vendimin që, kur të rifillojnë garat, të gjitha ndeshjet do të luhen pa shikues dhe nën masa të rrepta sigurie për shëndetin e futbollistëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në ndeshje futbolli.
Anëtarët e Komitetit Ekzekutiv kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të respektohet plani i tyre. Ky plan kërkon që ekipeve t’u mundësohet fillimi i stërvitjeve në grupe që nga 10 maji, ndeshjet gjysmëfinale të Kupës të luhen më 23 e 24 maj, ndërsa Superliga të vazhdojë nga 30 maji dhe javët e mbetura të luhen deri më 15 korrik 2020.
“FFK do të ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse në stadiume dhe do t’i respektojë të gjitha rekomandimet që vijnë nga institucionet shëndetësore, në mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit në një ndeshje futbolli të jenë të sigurt”, – thuhet në njoftimin e organit drejtues të Federatës së Kosovës.
“Tani u mbetet krerëve të FFK-së që në ditët e ardhshme të takohen me drejtuesit e institucioneve dhe të bien dakord për hapat e mëtejshëm, ngaqë më 24 maj, FFK-ja është e obliguar ta njoftojë UEFA-n për vazhdimin ose jo të veprimtarive të këtij edicioni”, – shton njoftimi.
Por, plani i FFK-së, për vazhdim të sezonit mund të mos realizohet, pasi është deklaruas se aktivitetet sportive në vend do të rikthehen në fazën e tretë të hapjes, fazë e cila fillon prej datës 1 qershor. Me këtë kuptohet se kampionati i Kosovës mund të mos rifillojë gjatë muajit maj.
Por sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se vazhdimi i sezonit pas 15 qershorit nuk pranohet në asnjë mënyrë. Sipas tij, është kohë e papërshtatshme dhe e pamundur për të përfunduar garat në afatin e caktuar nga UEFA, e që është 19-20 korriku.