AlbanianSport.com 27/04/2020 20:55
ASNN – “Të jesh… apo të mos jesh? Kjo është çështja!” Në fakt, kjo batutë e famshme e dilemës hamletiane po shndërrohet në lajtmovin e futbollit evropian të kësaj pranvere. Nga njëra anë, është sporti, i zënë ngushtë nga kriza e koronavirusit, ndërsa nga ana tjetër politika, e cila duket se e ka shfrytëzuar këtë epidemi të pashoqe që ka shpërthyer në shkallë globale, për të futur duart edhe në rrafshe ku nuk kishte depërtuar dot më parë. E, kur themi sporti, nënkuptojmë së pari futbollin, që e gjen veten në këtë dilemë të madhe, mbase edhe të imponuar përtej realitetit.
Loja më popullore në botë po përballet me një betejë në kontinentin e vjetër, aty ku duket se epidemia e ka kapërcyer kulmin e saj dhe po shkon drejt fashitjes dhe për këtë arsye, UEFA ka këmbëngulur që kampionatet anembanë Evropës, që u ndërprenë për arsye të koronavirusit në mes të marsit, të rikthehen dhe të përfundojnë, qoftë kjo edhe brenda dy muajve të parë të verës, ndërsa ai i 3-ti, gushti, të mund të shfrytëzohet për përmbylljen e këtij sezoni të Ligës së Kampioneve dhe Ligës së Evropës. Madje, për këtë arsye, organizmi që qeveris futbollin në vend bëri edhe sakrificën më sublime.
Ajo shtyu Evropianin e 2020-ës për një vit më pas, një veprim ky që nuk ishte ndërmarrë kurrë më parë. Por, përkundër dëshirës së UEFA-s, futbolli në kontinentin e vjetër jo vetëm që ka mbetur në vend-numëro, por pa bërë edhe hapa prapa. Kështu ndodhi javën e shkuar, kur u mor vendimi për anulimin e sezonit në Holandë, me shumë ekipe që dolën kundër vendimit të Federatës vendase të Futbollit. Kësisoj, Ajaksit ose AZ Alkma’arit iu mohua titulli “kampion” në nivelin më të lartë, ndërsa ekipet e kreut të nivelit të dytë shpërthyen, pasi iu mohua ngjitja në elitë.
Por dulet se ky vendim do të tërhiqet mbrapsht dhe ka shpresë për rifillimin e sezonit në fillim të muajit maj, sepse kurba e të prekurve nga koronavirusi, është drejt rënies. Vetë politikani holandez, Mark Boumans, dha një intervistë të hënën, ku u shpreh: “Mendoj se vendimi për anulimin do të tërhiqet! Kjo pasi ky vendim, ka bërë më shumë se gjysmën e klubeve të dalin kundër. Ishte një vendim kaotik, i nxituar.” Është fakt që vendimi për anulimin e sezonit 2019-20 të kampionatit holandez të futbollit nuk është pritur mirë nga shumica e klubeve.
Prandaj dhe Federata Holandeze e Futbollit po mendon tërheqjen nga ky vendim. Një nga zërat më të fortë kundër këtij vendimi ishte ai i Henk de Jongut, trajnerit të skuadrës së Kambu’urit, që militon në kategorinë e 2-të dhe që udhëhiqte me 11 pikë diferencë. Nisur nga fakti që ngjitjen në kategorinë e parë sezonin e ardhshëm e kishte thuajse të sigurt, De Jongu kritikoi mjaft ashpër vendimin, duke u shprehur se “ai ishte më i turpshmi në historinë e futbollit”. Raportimet e mediave ndërkombëtare shkojnë më tej, duke sqaruar se edhe klube të tjera kanë dalë kundër vendimit.
Një i tillë është, për shembull, Vilem II Tilburgu, që është shumë afër sigurimit të një vendi në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm. Tanimë është edhe deklarata e politikanit holandez, Boumans, që i hedh më tepër benzinë zjarrit. Në fakt, edhe Belgjika fqinje duket se është pranë të bërit “prapakthehu”, teksa edhe aty klubet janë pranë kthimit të vendimit për anulimin e sezonit. Edhe pse në fillim ngjau si një humbëse e madhe në këtë mes, UEFA prapëseprapë po tregon se asgjë nuk ka mbaruar ende. Sepse, në fund të fundit, një ndeshje futbolli mbaron atëherë kur fishkëllen 3 herë gjyqtari.