AlbanianSport.com 27/04/2020 19:25
ASNN – Të hënën, në mjediset e Federatës Shqiptare të Futbollit u zhvillua mbledhja e radhës e Komitetit të saj Ekzekutiv. Sikundër bën të ditur organizmi që qeveris futbollin në një njoftim të shkurtër, të afishuar në faqen zyrtare në Internet, kjo mbledhje, për herë të parë, u zhvillua përmes video-konferencës, në respektim të rregullave të distancimit fizik që kërkohet për shkak të përhapjes së “Covid-19” në Shqipëri.
Komiteti Ekzekutiv diskutoi në lidhje me situatën e krijuar në futbollin shqiptar nga “Covid-19” dhe përshëndeti punën e kryer deri më tani nga Federata Shqiptare e Futbollit. Një nga pikat e rendit të ditës ishte përcaktimi i datës së re të Asamblesë së Përgjithshme për vitin 2020, Asamble e cila do të zhvillohet më datë 11 maj, nëpërmjet video-konferencës me platformën “Microsoft Teams”. Ky vendim është marrë për shkak të pamundësisë për ta zhvilluar atë normalisht si çdo vit tjetër.
Në këtë mbledhje u miratuan të gjithë materialet që do t’u dërgohen anëtarëve 10 ditë para zhvillimit të Asamblesë.