AlbanianSport.com 26/04/2020 19:25
ASNN – Më në fund, edhe për futbollin shqiptar po shfaqen rreze shprese për kthimin e mundshëm në fushën e blertë. Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, i cili vetë ka kapërcyer me sukses infektimin me “Covid-19”, deklaron se tifozët mund të ndjekin ndeshjet në stadiumet shqiptare në muajin dhjetor. Në një prononcim për emisionin “E Diell” në “Top Channel”, mjeku i njohur shtoi se sezoni mund të luhet deri në fund pa tifozë, ndërsa shtoi se duhet pritur rezultati i masave anti-koronavirus për të gjithë popullatën pas dy javësh.
Sipas asaj që është raportuar në media ditët e fundit, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Sportit e gatshme të ulet në bisedime për të gjetur momentin më të përshtatshëm për rinisjen e sezonit futbollistik 2019-2020. Edhe Brataj theksoi se duhet të firmoset një marrëveshje bashkëpunimi midis FSHF-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për menaxhimin e stërvitjes dhe kontrollit të futbollistëve. “Nuk ka gjë që nuk bëhet po të respektohen rregullat”, – ka theksuar mjeku.
“Institucionet duhet të komunikojnë, duhet të vendoset një protokoll dhe pastaj të formalizohet me një marrëveshje, – ka vijuar Brataj. – Duhet të jemi të sigurt për testime se personat që do të shkojnë aty nuk kanë probleme. Nuk e di sesa do të realizohet te Gjermania. Stërvitjet mund të realizohen duke ruajtur distancat. Ndeshjet pa spektatorë mund të bëhen. Është një proces dinamik. Kur ndodh një sëmundje virale, infektive. duhet të shikojmë imunizimin e popullsisë. Unë flas si profesionist. Mund të them një infeksion zgjat 100-150 ditë si gripi SARS-i dhe MERS-i.”
“Po ta marrim Kinën, në 31 dhjetor u shënua rasti i parë, i bie që nga vera të plotësohet koha e virusit. Shpresojmë që nga fundi i vitit të kemi stadiume me tifozë”, – përfundoi shefi i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj. Ndërkohë, raportohet se Federata Shqiptare e Futbollit ka planifikuar zhvillimin e ndeshjeve të mbetura të kampionatit dhe jo përfundimin e sezonit me akordimin e trofeve në tavolinë, pa u luajtur 10 javët e mbetura. Sipas këtij dokumenti të siguruar nga “TV Klan”, që mban datën 22 Prill Federata propozon që ekipet të zbresin në fushë me 2 maj.
Kjo me qëllimin për të arritur formën fizike dhe më 24 maj të rinisin ndeshjet, sigurisht pa praninë e tifozëve dhe nën masa të rrepta higjieno-sanitare. Ky do të ishte skenari optimal për t’i përfunduar takimet më herët se 3 gushti 2020, data përfundimtare e udhëzuar nga UEFA një ditë më parë. Media në fjalë raporton se ka mësuar se sektori i garave ka punuar për të ndërtuar kalendare për zhvillimin e ndeshjeve. Kategoria Superiore pritet të rinisë me 24 maj dhe të përfundojë më 22 korrik, ndërsa janë parashikuar edhe datat kur do të luhen ndeshjet e Kupës, me finalen më 26 korrik.
Por nëse kushtet shëndetësore nuk do ta lejojnë zhvillimin e ndeshjeve të Kategorisë Superiore sipas këtij kalendari, atëherë organizmi që qeveris futbollin në vend ka gati të paktën edhe dy plane të tjera, që konsistojnë në zhvillimin e ndeshjeve çdo 3 ditë. Do të jetë një kalendar i ngjeshur, por nuk do të cënohet integriteti dhe meritokracia në renditjen përfundimtare. Një gjë e tillë është kërkuar me ngulm edhe nga UEFA, e cila madje ka kërcënuar se do të ndëshkojë federatat anëtare të cilat nuk do ta përligjin ndërprerjen e sezonit dhe meritokracinë e skuadrave që do të shkojnë në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm.