AlbanianSport.com 25/04/2020 20:55
ASNN – Pak ditë më parë qeveria holandeze vendosi pezullimin e veprimtarive sportive në vend deri në datën 1 shtator 2020, çka nënkuptoi se ky sezon i futbollit në kampionatin holandez është anuluar përfundimisht. Në këtë mënyrë, nuk do të ketë as “kampione” për këtë edicion. Dy pretendentët për trofeun e kampionatit Ajaksi dhe AZ Alkmari tashmë duhet të bëjnë llogaritë për sezonin pasardhës pasi titulli është lënë vakant.
Nga ky vendim i qeverisë holandeze ndëshkohet dhe skuadrat që luftojnë për t’u ngjitur në elitë. Kryesuesja e nivelit të dytë të kampionatit holandez të futbollit, Kambu’uri nuk do të luajë sezonin e ardhshëm në nivelin më të lartë, “Eredivisie”, edhe pse e kryeson e shkëputur kampionatin, me 11 pikë. Po kështu, Megjithatë, ekipet ADO Den Hagë, Fortuna Sitard dhe RKC Va’alvijku nuk do të bien nga kategoria. Zyrtarisht, Ajaksi e ka pranuar pa ndonjë problem vendimin e Federatës Holandeze të Futbollit.
Sipas Edvin Van der Sa’arit, drejtuesit të “shigjetarëve”, klubi e pranon këtë vendim. “Jam dakord! – ka deklaruar ish-portieri i famshëm, tanimë drejtues i klubit të njohur holandez. – Pa titull, nuk ka problem. Ka gjëra më të rëndësishme tani se sa futbolli. Edhe pse ishte vit mjaft i mirë për ne, edhe pse kemi ecur mjaft mirë, tani duhet të mendojmë për jetët e njerëzve.” Por nuk mendon kështu ylli i Ajaksit, Hakim Zijek, i cili nuk është përmbajtur aspak me deklaratën e tij të fundit.
Sezoni në Holandë u anulua dhe Ajaksit kryesues, nuk iu dha titulli “kampion” dhe Zijeku, i cili do të largohet drejt Çellsit në verë, foli troç për holandezen “AD”. “Unë personalisht, me datë 1 korrik 2020 jam lojtar i Çellsit, – ka deklaruar ai për të përditshmen holandeze në fjalë. – Sidoqoftë, është për të ardhur keq se si mbaroi sezoni kështu. Kam dëgjuar shumë gjëra të pakëndshme, të pavërteta. Njerëz që thonë se AZ Alkma’ari e meriton titullin, pasi na kanë mundur 2 herë.”
“I bie që golaverazhi nuk ka vlerë? – ka vijuar i riu i talentuar. – Nuk llogaritet? Gjepura! Ajaksi është “kampione”. Si e fitoi PSV Eind’hoveni titullin në 2007-ën? Me një gol më shumë diferencë. Ne nuk jemi zyrtarisht kampionët, por e dimë shumë mirë, të gjithë, se “kampionët” e këtij sezoni jemi ne.” Po kështu, edhe kryesuesja e nivelit të dytë, Kambu’uri, ka reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke kërkuar madje edhe ndihmën e UEFA-s.