AlbanianSport.com 25/04/2020 20:10
ASNN – Në një sport ku lëvizet me shpejtësi marramendëse dhe manovrohet në kënde që sfidojnë edhe ligjet e fizikës dhe atë të rëndesës, mosha bën padyshim dallimin dhe kjo është arsyeja pse shumica e pilotëve të Moto GP-së janë në moshë të re, ose relativisht të re. Por çdo rregull e ka një përjashtim dhe ky është Valentino Rosi. Motoçiklisti legjendar italian ka thënë se dëshiron të garojë edhe vitin e ardhshëm, edhe pse do të jetë plot 42-vjeç.
Sidoqoftë, Rosi do të shohë fillimisht se si do të garojë këtë edicion. Garat e nivelit më të lartë ë Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, Moto GP, janë shtyrë deri në fund të qershorit për shkak të epidemisë së “Covid-19”. Rosi do të largohet nga skuadra zyrtare e “Jamaha”-s në fund të vitit 2020, por ka një vend në ekipin klient të “Petronas”-it, natyrisht nëse e dëshiron atë. Nëse ka interes, ai mund të ndërrojë vendet me francezin 21-vjeçar, Fabio Kuartararo.
“Mendoj se do të më duhet të vendos para se të fillojnë garat, – ka thënë Rosi për agjencinë e lajmeve “Reuters”. – Në situatën më optimiste, ne do të mund të garojmë në gjysmën e dytë të sezonit, pra, në gusht apo shtator. Shpresoj të ndodhë kjo, nëse çdo gjë është gati. Por unë duhet të marr një vendim më herët. Dua të vazhdoj, por duhet të vendos pa bërë ndonjë garë. Nuk është mënyra më e mirë për t’i dhënë fund, pasi ndoshta nuk do të garojmë fare këtë vit.”
“Është më e drejtë të bëj edhe një sezon dhe më pas të përfundoj, – ka shtuar ai. -Shpresoj të vazhdoj në vitin 2021.” Valentino Rosi është padyshim njp fenomen i motoçiklizmit. Ai ka fituar 9 tituj të “kampionit të botës” në të gjitha kategoritë dhe 7 në kategorinë kryesore, Moto GP. 41-vjeçari është i vetmi që ka mbyllur me sukses mbi 400 gara nëpër Çmime të Mëdhenj dhe ka po ashtu edhe karrierën më të gjatë me fitore në të. Ka plot 89 fitore në kategorinë kryesore, ndërsa ka fituar përgjatë 20 viteve.
Ylli italian kishte deklaruar në janar se i duhen disa përgjigje nga garat e para, përpara se të vendosë për të vazhduar në vitin 2021. Për momentin, Rosi po qëndron i izoluar në Itali. “Mundësia e parë është të provoj të vazhdoj, pasi kam mjaftueshëm motiv dhe dua të vazhdoj, – ka pohuar ai. – Por është shumë me rëndësi të kuptoj nivelin e garimit. Sidomos në pjesën e dytë të vitit të kaluar kemi vuajtur shumë. Shumë herë isha i ngadalshëm dhe nuk kam qenë në garë për 5 vendet e para. Më duhen 5-6 gara për të vendosur”.