AlbanianSport.com 25/04/2020 17:55
ASNN – Organizmi kontinental përvijon kriteret, por edhe ndëshkimet për anulimin apo vazhdimin e kampionateve të futbollit. Federatat që kanë ndërprerë kampionatin pa një arsyetim të qenësishëm rrezikojnë të mos u pranohen skuadrat në Kupat e Evropës sezonin e ardhshëm. Ky është kërcënimi që vjen nga organizmi që qeveris futbollin kontinental, UEFA, pasi një nga anëtaret më me peshë të saj, Holanda, ka vendosur ta ndërpresë kampionatin e futbollit në të dy nivelet më të larta të tij.
UEFA, ka kërcënuar federatat anëtare të saj se, përtej krizës së shkaktuar nga epidemia e koronavirusit, do të marrë masa nëse kampionatet ndërpriten pa një arsyetim të qenësishëm. Ky reagim i organizmit që qeveris futbollin në Evropë vjen pasi një nga anëtaret më me peshë të saj, Holanda, ka vendosur ta ndërpresë kampionatin e futbollit në të dy nivelet më të larta të tij. Një vendimi tillë erdhi pasi qeveria holandeze vendosi pezullimin e veprimtarive sportive në vend deri në datën 1 shtator.
Në këtë mënyrë, nuk do të ketë as “kampione” për këtë edicion, ndërsa ga ky vendim i qeverisë holandeze ndëshkohet dhe skuadrat që luftojnë për t’u ngjitur në elitë. Ky vendim ka krijuar polemika të ashpra edhe në Holandë, por edhe ka shkaktuar pështjellim edhe në kampionatet e tjera të Evropës, të cilat, përkundër kokëfortësisë së qeverive, po projektojnë një rikthim të shpejtë në fushat e lojës, edhe pse, sipas të gjitha gjasave, pa tifozë.
Përgjatë gjithë kësaj periudhe, UEFA ka këmbëngulur ka këmbëngulur që të synohet mbyllja e sezonit, por ka pranuar se vendimi përfundimtar u mbetet federatave vendase. Sidoqoftë, sipas njoftimit të bërë publik edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, UEFA kërkon nga federatat e shteteve anëtare të saj që të raportojnë për rinisjen apo mbylljen e parakohshme të kampionatit deri më datën 25 maj. Sipas udhëzimit të organizmit kontinental, mbyllja e sezonit do të pranohet vetëm në dy raste.
Së pari, kur ka një vendim qeveritar për të mbajtur të pezulluara veprimtaritë sportive deri në një datë që do ta bënte të vështirë dhe të pamundur përfundimin e kampionatit aktual, deri përpara mundësisë së fundit për nisjen e sezonit tjetër. Së dyti, kur ka argumentime specifike ekonomike dhe financiare të cilat do justifikonin se vazhdimi i kampionatit do ishte financiarisht i nxituar apo që mund të vinte në vështirësi financiare afatgjata klubet.
Për të gjitha rastet e tjera kur kampionati është ndërprerë pa i plotësuar këto dy kritere, apo kur fituesit dhe skuadrat që janë përzgjedhur për të marrë pjesë në Kupat e Evropës, UEFA rezervon të drejtën të mos i pranojë klubet.